Festa e Fitër Bajramit, qindra besimtarë në bulevard

27/07/2014 00:00

Sot, pas 30 ditëve agjërim, lutje, adhurime, besimtarët muslimanë shqiptarë dhe ata në mbarë botën, festojnë Fitër Bajramin.

Normal
0

false
false
false

EN-US
X-NONE
X-NONE

MicrosoftInternetExplorer4

Qindra besimtarë myslimanë ishin të pranishëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në mëngjes herët për Faljen e Namazit.


“Bajrami është dita e besimit të brengave, dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, dita e një jete të re, e pendesës për gabimet, e projekteve dhe veprave të mira. Dita kur mëritë, hatërmbetjet, xhelozia dhe smira marrin fund. Bajrami është solidarizim me mbarë shoqërinë. Zoti e ka veçuar Bajramin si moment gëzimi, prandaj neve na takon ta vlerësojmë në këtë mënyrë”, u shpreh Skënder Bruçaj, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar.

Ndërkohë, Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, deklaroi se falja e namazit të Fitër Bajramit, edhe këtë vit, do të bëhet aty ku është falur gjithmonë, gjatë këtyre viteve të fundit.

“Duke filluar nga Ura e Lanës, deri në lulishten e sheshit ‘Skënderbej’. Gjithashtu, vend faljeje për zonjat besimtare do të jetë segmenti fundor i rrugës ‘Myslym Shyri’. Duhet theksuar se vendi i faljes së Bajramit do të jetë vetëm në bulevard, duke lënë të lira trotuaret dhe hapësirat e gjelbërta”, theksoi Ylli Gurra, Myfti i Tiranës.

Myftiu Gurra theksoi gjithashtu se, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë marrë disa masa për mbarëvajtjen e faljes së namazit të Bajramit.

“Gjatë orëve të natës, duke nisur nga mesnata e deri në 08:00 të mëngjesit të së hënës, 28 Korrik 2014, do të ketë kufizim të lëvizjes së mjeteve në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, si dhe në pjesën jugore të sheshit ‘Skënderbej’. Trotuaret do të jenë të lira për lëvizjen e qytetarëve përgjatë gjithë gjatësisë së tyre, duke u kufizuar vetëm në vendin e faljes së besimtarëve. Sipërfaqja që do të përdoret për faljen do të jetë e shtruar me një material të posaçëm tekstil, kështu që nuk do të jetë e nevojshme për besimtarët dhe qytetarët, që të marrin me vete mjete rrethanore”, deklaroi Myftiu Ylli Gurra.

Presidenti Nishani uron besimtarët

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, me anë të një mesazhi ka uruar të gjithë besimtarët Mysliman për festën e Fitër Bajramit.

“Nuk ka gjë më të aftë se kjo festë për ta larguar urrejtjen dhe afruar dashurinë, pakësuar veset dhe shtuar virtytet, harruar mëritë dhe sjellë pajtimet. Është kjo Festë e madhe që ka aftësinë e rrallë për t’i bërë të rinjtë më të pjekur, të moshuarit më të rinj, të sëmurët më të shëndetshëm, të shëndetshmit më të mëshirshëm, fatkeqët më pak të dëshpëruar, fatlumturit më të përmbajtur, fukarenjtë me më tepër shpresë, zengjinët më zemërgjerë”,  shkruan Presidenti në mesazhin e tij.

Presidenti Nishani uron edhe jomyslimanët, të cilët në respekt të tjetrit dhe për të mirën e vetes, mbajnë Ramazanin dhe respektojnë Bajramin.

“Ta festojmë Bajramin si duhet, si na ka hije; si besimtarë të devotshëm dhe njerëz të qytetëruar, që njohim dhe respektojmë normat e Besimit; me gëzim të përmbajtur, vëllazërim me njëri-tjetrin, dhe kryesorja; mirënjohje për Zotin”,  mbyllet mesazhi i urimit i Presidentit Nishani.

Top Channel