Siri, vriten 50 ushtarë

26/07/2014 00:00

Ekstremistët e ISIS kanë vrarë të paktën 50 ushtarë sirianë në një pritë. Ngjarja ndodhi në gjatë ditës së premte në provincën Raqa.

Drejtori i Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, Rami Abdel Rahman, tha se ushtarët në fillim janë zënë rob dhe më pas janë vrarë duke u masakruar nga rebelët. Në të gjithë vendin gjatë së premtes janë vrarë 76 persona nga rebelët e ISIS.

Luftëtarët ekstremistë kanë publikuar imazhe të ushtarëve të marrë peng e që iu pre koka, pas luftimeve të ashpra për kontrollin e bazës. Baza e Raqqa-s, e drejtuar nga Divizioni 17 i ushtrisë siriane, thuhet të jetë pushtuar gjatë natës, pasi u mësy nga luftëtarët e ISIS.

Militantët e Shtetit Islamik në Irak dhe Levant po tentojnë të zgjerojnë territoret e tyre edhe në Siri, pas pushtimit të disa qyteteve të rëndësishme në Irak.

Xhihadistët, të cilët nisën një ofensivë të gjerë gjatë ditës së enjte, kanë arritur të zgjerojnë ndjeshëm territoret e tyre në veri dhe verilindje të Sirisë.

Top Channel