Venezuelë, në gjyq lideri i opozitës

24/07/2014 00:00

Në Caracas, kryeqytetin e Venezuelës ka nisur gjyqi ndaj Leopoldo Lopez, njërit prej udhëheqësve kryesorë të opozitës në vend. Ai është akuzuar për nxitje të dhunës gjatë demonstratave anti-qeveritare.

Që prej 18 shkurtit Lopez ndodhej në paraburgim, pasi ishte dorëzuar tek autoritetet vendase, por i kishte mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.

Me mijëra persona dolën në rrugët e Venezuelës në fillim të këtij viti, në protestat kundër rritjes së inflacionit dhe krimit. 43 vjeçari e ka akuzuar qeverinë e Nikolas Maduro për shkelje të të drejtave të njeriut si edhe për ndryshimin e ligjeve të cilët cenojnë demokracinë.

Gjatë protestave forcat e sigurisë arrestuan edhe anëtarë të tjerë të opozitës. Me qindra mbështetës të liderit të opozitës janë mbledhur jashtë gjykatës, duke kërkuar lirimin e Lopez-it.

Nga akuzat e ngritura 43-vjeçari mund të përballet me një dënim maksimal deri në 10 vjet burg.

42 persona, mbështetës dhe kundërshtarë të qeverisë, mbetën të vdekur gjatë protestave të dhunshme. Më shumë se 300 protestues u arrestuan, por tashmë shumë prej tyre janë liruar.  

Top Channel