Gaza, bombardimet vrasin 15 vetë

24/07/2014 00:00

Të paktën 15 persona janë vrarë dhe 200 të tjerë janë plagosur kur një shkollë e menaxhuar nga OKB dhe që shërbente si strehim në Gaza është bombarduar nga sulmet izraelite.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria palestineze e Shëndetësisë. Qindra palestinezë ndodheshin në këtë shkollë, në Beit Hanun, pasi ishin larguar nga zonat e përfshira nga lufta.

Kjo është hera e parë që një kompleks i OKB-së goditet nga ofensiva izraelite ndaj militantëve të Hamasit. Në 16 ditët e fundit, mbi 725 palestinezë dhe 30 izraelitë janë vrarë nga konflikti i përgjakshëm.

Izraeli e nisi ofensivën e tij më 8 korrik, kur shpalli objektivin e tij për të ndaluar militantët e Hamasit që qëllonin raketa nga Gaza.

Më herët gjatë së enjtes, shefja e OKB-së për çështjet humanitare, Valerie Amos deklaroi se vendosja e një armëpushimi është jetike.

“Kemi mbi 118 mijë persona që po strehohen në shkollat e OKB-së. Njerëzit kanë mbetur pa ushqime dhe uji është një problem serioz”, deklaroi Amos.

Ajo theksoi gjithashtu se, 44 për qind e territorit të Gazës është sipërfaqe “ndalim kalimi” për palestinezët dhe shtoi se banorët gjithashtu ndodhen në kushte të rënda higjeno-sanitare.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi të enjten se i vjen keq për çdo vdekje të civilëve palestinezë, por theksoi se “këto vdekje janë përgjegjësi e Hamasit”.

Top Channel