Kievi hedh në gjyq ministrin rus të Mbrojtjes

23/07/2014 00:00

Hetimet për rrëzimin e avionit “Malasyan Airlines” janë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, pasi si Ukraina ashtu edhe Rusia vazhdojnë dhe akuzojnë njëra-tjetrën për sulmin.

Por Ministria e Punëve të Brendshme ukrainase ka hapur gjyq kundër ministrit rus te Mbrojtjes, Sergey Shoygu dhe biznesmenit rus Konstantin Malofeyev.

Shoygu akuzohet për përfshirje në organizimin e grupeve të armatosura ilegale e ndërsa Malofeyev-it i rendon akuza për financimin e tyre.

Nga ana tjetër Rusia ka insistuar në mënyrë të përsëritur se nuk është e përfshirë në asnjë sulm në rajon. Moska ka mohuar pretendimet se e  “tërhoqi ajo këmbëzën” dhe deklaroi se një luftëtar ukrainas mund ta ketë qëlluar avionin nga poshtë. Por presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha për CNN se këto akuza janë të pavërteta, duke thënë se të gjithë avionët ukrainas ishin në terren në atë kohë.

Sipas gjithë burimeve të deritanishme është e qartë se rrëzimi i avionit të “Malasyan Airlines” nuk ishte rastësor dhe se është bërë nga pajisje shumë të sofistikuara dhe plani ka qenë i mirë-menduar.

Gjithashtu, Bordi Kombëtar i Sigurisë te Transportit te SHBA thotë se një nga ekspertët e tij do të ndihmojnë për të marrë informacionet nga regjistruesit e fluturimit të ‘MH17’, i cili u sulmua me raketë dhe ku 295 persona humbën jetën. Ndërkombëtarët besojnë se në ngjarje janë të përfshirë  rebelët pro-ruse, por në asnjë mënyrë nuk mund të kenë vepruar të vetëm dhe pa armë e trajnime nga Rusia.

Top Channel