Irak, kontrabanda e naftës financon ISIS

23/07/2014 00:00

Militantët e Shtetit Islamik në Irak dhe Levant (ISIS-ISIL) kanë zaptuar 4 fusha të vogla nafte, gjatë kohës kur avanconin përmes Irakut verior gjatë muajit të kaluar, e tani po përpiqen të shesin naftë të papërpunuar dhe benzinë nga ato, në mënyrë që të financojnë atë që kanë deklaruar së fundi si “kalifatin” islamik.

Pranë qytetit verior të Mosulit, ISIS ka marrë fushat e Najma-s dhe Qayara-s, ndërkohë që më në jug, pranë kufirit me Tikritin, kanë zaptuar fushat e Himreen-it dhe Ajil-it, gjatë avancimit dyditor të tyre përmes Irakut verior në mesin e muajit Qershor.

Fushat e naftës, në duart e ISIS janë modeste, krahasuar me fushat gjigante të Irakut pranë Kirkuk-ut apo Basra-s, të cilat ndodhen nën kontrollin e kurdëve dhe të qeverisë. Shumica e puseve naftëmbajtëse të ISIS, që shkojnë deri në 80 të tilla sipas zyrtarëve kurdë, janë të mbyllura dhe nuk pompojnë naftë.

Por, monopoli mbi naftën në territorin e zotëruar prej tyre, i jep më shumë forcë ISIS përkundrejt fraksioneve të tjera të armatosura të sunitëve, gjë që mund të kërcënojë dominimin e këtyre të fundit në Irakun verior.

Zyrtarët irakenë thonë se gjatë javëve të fundit, grupi islamik ka transportuar naftë nga Qayara, naftë që duhet të përpunohet nëpër rafineritë e lëvizshme në Siri për t’u kthyer në karburant të kualitetit të ulët dhe benzinë, e më pas merret sërish mbrapsht për t’u shitur në Mosul, një qytet prej 2 milionë banorësh.

Ngarkesa të mëdha nafte të papërpunuar, shumica prej Najma-s, janë shitur gjithashtu përmes kontrabandistëve te tregtarët turq me çmime tejet të ulta, rreth 25 dollarë për fuçi, thonë më tej zyrtarët.

“Kemi konfirmuar raportimet që tregojnë se ISIS po transporton naftë të papërpunuar nga fusha e Najma-s në Mosul drejt Sirisë, duke e kontrabanduar atë në një nga fqinjët e Sirisë”, tha Husham al-Brefkani, kreu i komitetit energjitik të këshillit provincial.

“Shteti Islamik (ISIS) po siguron përfitime disa miliona dollarëshe me këtë tregti të jashtëligjshme”.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel