Shpërthim në aeroportin e Kabulit, viktima

22/07/2014 00:00

Një shpërthim vetëvrasës në aeroportin e Kabulit u ka marrë jetën të paktën katër personave, tre prej të cilëve dyshohet të jenë të huaj. Autoritetet lokale bëjnë të ditur lajmin.

Kombësitë e viktimave, të cilët sipas gjasave kanë qenë në rolin e këshilltarit, për momentin nuk dihen. Guerrilasit talebanë deklarojnë përgjegjësinë e sulmit, raporton ndërkohë agjencia e lajmeve “Reuters”.

Aeroporti i Kabulit përdoret si nga civilët edhe nga ushtarakët dhe atentati i sotëm vjen pak ditë pasi forcat afgane të sigurisë zmbrapsën një sulm të mirëorganizuar ndaj këtij kompleksi.

Militantë të armatosur deri në dhëmbë sulmuan aeroportin me granata dhe armë të rënda zjarri. Nga shkëmbimi i zjarrit katër rebelë mbetën të vrarë dhe një roje sigurie i plagosur.

Të gjitha këto ndodhin kur vendi është ende pa një fitues zyrtar të zgjedhjeve presidenciale. Komisioni zgjedhor po kryen një audit të votave të balotazhit të 14 qershorit, ndërkohë që rreziku për destabilitet sa vjen e rritet.

Ashraf Ghani fitoi balotazhin, sipas rezultateve paraprake. Ndërsa Abdullah kryesoi raundin e parë në muajin prill, por nuk siguroi dot 50 për qind të votave. Të dy kandidatët akuzojnë njëri-tjetrin për manipulime elektorale.

Top Channel