Avioni, SHBA akuzojnë Rusinë

21/07/2014 00:00

Kryediplomati amerikan, John Kerry, ka bërë të ditur se ka prova të shumta të implikimit rus në rrëzimin e avionit të “Malaysia Airlines” në Ukrainë.

Kerry i është drejtuar sërish Rusisë të marrë përgjegjësi mbi veprimet e rebelëve, duke thënë se trajtimi i të vdekurve nga ana e pro-rusëve ka qenë diçka “groteske”. Të 298 personat në bordin e fluturimit MH17 mbetën të vdekur, pas goditjes së avionit nga një raketë.

Rusia akuzohet për furnizimin e rebelëve me sistemi anti-ajrore, të cilat dyshohen se janë përdorur në sulmin e javës së kaluar.

Më herët, kufomat e 196 personave janë ngarkuar në vagonë treni frigoferikë në Lindje të Ukrainës, për t’u dërguar më pas në një destinacion të panjohur.

Ministrja e Jashtme e Australisë, Julie Bishop, ka bërë thirrje ndaj separatistëve pro-rusë të mos i përdorin trupat si gurë shahu në konfliktin e tyre me autoritetet ukrainase.

“Janë 298 trupa në atë vend. Familjet e tyre, të afërmit e tyre duan të kthehen sa më shpejt në shtëpi”, tha ajo.

Sekretari amerikan Kerry tha se SHBA ka vëzhguar një furnizim tepër të madh ushtarak drejt Ukrainës nga ana e Rusisë gjatë muajit të kaluar, përfshi edhe një karvan me autoblinda, tanqe dhe raketahedhëse.

Përgjimet e telefonatave zbulojnë se një sistem raketor rus “SA-11” është transferuar drejt rebelëve, – tha Kerry, – dhe SHBA-të kanë parë një video të një tjetër sistemi që është kthyer sërish mbrapsht në Rusi, pas rrëzimit të fluturimit MH17.

“Ka prova të jashtëzakonshme që tregojnë përfshirjen e Rusisë në furnizimin e tyre me këto sisteme, madje edhe trajnimin e njerëzve të tyre”, tha Kerry në një rrjet televiziv amerikan. Ai kërcënoi gjithashtu me sanksione të tjera më të ashpra ndaj Rusisë, si dhe bëri thirrje ndaj aleatëve europianë të tregohen më të ashpër me presidentin Putin, pas “thirrjes për zgjim”.

Top Channel