Ukrainë, vazhdon ofensiva në Luhansk

19/07/2014 00:00

Nuk ka asnjë shenjë armëpushimi në lindje të Ukrainës, pavarësisht presionit gjithnjë e në rritje nga ndërkombëtarët, madje luftimet po vazhdojnë me një intensitet të lartë.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës ka thënë se ushtria po vazhdon ofensivën në qytetin e Luhansk-ut, ku tashmë është rimarrë pjesa lindore e tij.

Valerij Heletey deklaroi se pas marrjes së pjesës lindore të qytetit, i cili mbahet nga separatistët pro-rusë, ushtria tashmë ka rrethuar edhe aeroportin. Më shumë se 20 persona kanë mbetur të vrarë si pasoje e luftimeve të së premtes.  

Agjencia ruse e lajmeve, ‘RIA’ raportoi më herët se rafineria e naftës në Lisichansk, në rajonin e Luhansk-ut, ishte në flakë dhe pse shkaku nuk ishte i qartë. Bombardimet e fundit kanë dëmtuar edhe një nënstacion të energjisë elektrike në një lagje të qytetit, duke lënë pa energji thuajse të gjithë Luhansk-un, në të cilin tashmë mungon edhe uji.

Më shumë se 1 mijë persona janë vrarë që nga muaji prill, kur ushtria ukrainase nisi ofensivën e saj për të rimarrë kontrollin e rajoneve lindore, ndërsa me mijëra persona janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Top Channel