Programi bërthamor i Iranit

19/07/2014 00:00

Irani dhe fuqitë botërore kanë rënë dakord gjatë orëve të vona të së premtes për të zgjatur afatin për arritjen e një marrëveshje lidhur me programin bërthamor.

Lajmi është konfirmuar nga një përfaqësues i Iranit, por edhe nga një diplomat perëndimor. “Negociatat për zgjerimin e marrëveshjes së përkohshme të Gjenevës ishin të suksesshme. Detajet do të bëhen publike së shpejti”, ka thënë përfaqësuesi iranian. Ndërsa një prej përfaqësuesve të ndërkombëtarëve është shprehur se palët duhet të arrijnë një marrëveshje deri në 24 nëntor, e cila do të ishte historike.

Që prej muajit shkurt bisedimet kanë vazhduar me ritme të larta, duke u përpjekur për të arritur një marrëveshje, ashtu siç ishte parashikuar, deri më 20 korrik, për të cilin ishte rënë dakord në Gjenevë.

Gjatë kësaj jave, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry zhvilloi dy ditë bisedime me homologun e tij iranian, por nuk arritën në marrëveshje. Të dyja palët kanë ngushtuar bisedimet në çështje konkrete, por ata ishin larg çështjes kuçe për kapacitetin e Iranit për pasurimin e uraniumit, një proces i cili mund të prodhojë lëndë djegëse për reaktorët, por mund të jetë edhe baza e një bombe bërthamore.

Top Channel