Putin-Poroshenkos: Paqja, e mundur

18/07/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë të ditur se është në kontakt me homologun e tij ukrainas, Petro Poroshenko, duke theksuar se zgjidhja e krizës ukrainase është e mundur.

“Jemi në kontakt me presidentin ukrainas, Poroshenko dhe shpresoj që ai do të arrijë t’i propozojë popullit të tij dhe të gjithë atyre që jetojnë atje një zgjidhje për të siguruar një paqe afatgjatë”, ka deklaruar Putin.

Nga ana tjetër, Putin ka kërkuar një “hetim të kujdesshëm dhe objektiv” të tragjedisë ajrore malajziane, duke iu referuar avionit të rrëzuar të enjten në lindje të Ukrainës.

Këtë presidenti rus e ka bërë të ditur në përfundim të një bisede telefonike me kryeministrin holandez Mark Rutte, gjatë të cilës ai ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat holandeze.

“Tragjedia e ndodhur dje konfirmon edhe një hereë nevojën për një zgjidhje të shpejtë dhe paqësore të krizës akute në Ukrainë”, ka thënë Putin.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se Rusia nuk ka ndërmend të marrë kutitë e zeza të avionit malajzian, që aktualisht ndodhen në duart e separatistëve pro-rusë.

“Nuk duam të shkelim normat ndërkombëtare në fuqi për situata të tilla”, ka thënë Lavrov në një intervistë për televizionin shtetëror rus.

Shefi i diplomacisë ruse ka kërkuar që kutitë e zeza t’u dorëzohen ekspertëve ndërkombëtarë. Do të jenë 30 vëzhgues të OSBE-së që do të mbërrijnë në vendin e ngjarjes mbrëmjen e sotme dhe ditën e nesërme.

Top Channel