Irani kërcënon Pakistanin

18/07/2014 00:00

Ministri i Brendshëm iranian kërcënoi me dërgimin e një force speciale në Pakistan nëse ky i fundit nuk vepron me të gjitha mjetet dhe mënyrat për të liruar pesë rojet kufitare iraniane të marra peng në rajonin e Sistan Baluchistan dhjetë ditë më parë.

Autorësia e pengmarrjes është konfirmuar nga grupi sunit militant, Jaish al-Adl, që në këmbim të lirisë së tyre kërkon lirimin e 300 militantëve të tij që mbahen në burgjet iraniane.

Ministri iranian, Abdolreza Rahmani-Fazli kërkoi nga Islamabadi që ta trajtojë me forcë dhe me seriozitetin maksimal cështjen dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të liruar pesë rojet.

Ai tha të hënën për televizionin shtetëror se Pakistani duhet të veprojë me vendosmëri jo vetëm për cështjen në fjalë, por edhe për të vendosur kontrollin në gjithë territorin e tij duke luftuar grupet terroriste.

“Jemi në pritje të një përgjigje dhe veprim të vendosur, përndryshe do të marrim në konsideratë të drejtën tonë për të ndërhyrë dhe për të krijuar një zonë sigurie për sigurinë tonë”, tha ai.

Ndërkohë, zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë iraniane tha se në tryezë janë si mundësi të dyja opsionet, zgjidhja politike por edhe ajo ushtarake.

Rajoni Sitan Baluchistan ndodhet në kufi me Pakistanin dhe Afganistanin dhe ka qenë skenë e përplasjeve të shpeshta mes forcave iraniane të sigurisë, grupeve të trafikut të lëndëve narkotike dhe atyre militante të Jaish al-Adl.

Në tetor, ky grup mori përsipër vrasjen e 14 ushtarëve iranianë, ndërsa autoritetet u kundërpërgjigjen me ekzekutimin me varje të 16 personave, që u akuzuan si të lidhur me grupe armiqësore me Republikën Islamike.

Top Channel