SHBA zgjeron sanksionet ndaj Rusisë

16/07/2014 00:00

Situata në Ukrainë, e cila vazhdon të jetë tejet e tensionuar, ka detyruar SHBA-në të zgjerojë sanksionet ndaj Rusisë.

Sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara do të prekin disa nga bankat e mëdha, kompanitë e energjisë, si edhe ato të mbrojtjes. Në listën e të prekurve nga sanksionet janë edhe ‘Gazprombank’ dhe ‘Rosneft’, gjithashtu edhe disa zyrtarë të lartë rusë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Moskës. Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Riabkov i quajti sanksionet e reja si ‘skandaloze’ dhe krejtësisht të papranueshme  dhe premtoi se Kremlini do të përgjigjet në të njëjtën monedhë.

Sipas mediave ndërkombëtare edhe BE-ja është duke shqyrtuar mundësinë e zgjerimit të sanksioneve ndaj Rusisë edhe pse jo në nivelin e SHBA-ve.

Shtëpia e Bardhë i ka bërë shpesh thirrje Rusisë të përdorë ndikimin e saj te separatistët pro-rusë për të arritur një marrëveshje paqeje, por deri tani kjo nuk është arritur, madje gjatë ditës së djeshme Ukraina ngriti akuza të forta ndaj Moskës për përfshirje direkte në sulmet e ndodhura gjatë ditëve të fundit ndaj ushtrisë ukrainase.

Gjatë ditës së martë Shtetet e Bashkuara publikuan një raport ku tregohej qartazi se qëllimi i Shteteve të Bashkuara gjatë krizës në Ukrainë ka qenë për të mbështetur një Ukrainë demokratike që do të jetë e qëndrueshme, e unifikuar, e sigurt politikisht dhe ekonomikisht, si edhe në gjendje të përcaktojë vetë të ardhmen e saj.
 

Top Channel