Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga pritet që të mërkurën të vendosë për të dërguar edhe një kërkesë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, rreth paqartësive që tanimë kanë dalë rreth të drejtës së forcave politike për të propozuar kryetarin e Parlamentit të ri.

Burime nga Presidenca kanë bërë të ditur për Top Channel se zonja Jahjaga sapo të kthehet nga vizita në Kroaci do të mbledhë këshilltarët e saj për ta diskutuar gjendjen.

Ndërsa në konsultim me miqtë ndërkombëtarë do të vendosë që seancën konstituive të 17 korrikut, që e ka thirrur vetë ajo, të përpiqet ta menaxhojë në atë formë që të mos ketë ndonjë problem që mund të çojë në dhunë fizike mes deputetëve.

Kjo, pasi në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, kur është bërë rendi i ditës për seancën, sipas rezultateve zgjedhore, kryetari i PDK-së Hashim Thaçi ka thënë se partisë së tij i takojnë ulëset në qendër të sallës së Kuvendit dhe po ashtu i takon e drejta për propozim të kryetarit të tij.

Por kjo është kundërshtuar ashpër nga liderët e bllokut opozitar, të cilët në këtë mbledhje të kryesisë pretenduan se këto të drejta u takojnë atyre.

Në këtë situatë, zyrtarë brenda dy blloqeve kanë thënë se të enjten në mëngjes deputetët pritet të përplasen së pari për ulëset, për të vazhduar pastaj me çështjen e kryetarit.

Nga të dyja blloqet politike kanë paralajmëruar se menjëherë pas betimit të deputetëve, pala e pakënaqur do të dërgojë lëndën në Gjykatën Kushtetuese duke pamundësuar kështu krijimin e institucioneve të reja së paku edhe për disa javë.

Versionet e ndarjes së ulëseve në Parlament

Duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të publikuara nga KQZ, sekretaria e Kuvendit të Kosovës kishte parashikuar një variant se ku duhet të uleshin deputetët në vartësi të numrit të fituar në zgjedhje.

Ndërsa kryesia e Kuvendit ka nxjerrë një variant tjetër, duke i nxitur polemika. Ja cilat janë dy versionet e mundshme të vendosjes së deputetëve kosovarë ditën e enjte në Kuvend:

Deputetët e PDK-së parashikohet të ulen në karriket që kanë përdorur edhe në mandatin e kaluar si mazhorancë, pra në qendër të sallës së Kuvendit; ndërsa versioni i dytë, pra ai që ul në qendër grupin parlamentar LDK, AAK, Nisma.

Dokumenti mban firmën e Jakup Krasniqit, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit. Ndërsa ndryshe nga dokumenti i sekretarisë, ky version e ul PDK-në në anën e majtë të sallës, aty ku ulen grupet opozitare. Ndërsa në anën e djathtë deputetët e Vetëvendosjes dhe ata të minoriteteve.

Sipas vendimit të Krasniqit, të cilin e kontestojnë deputetët e PDK-së, forcat politike në Kuvend do të ulen në bazë të fuqisë në grupe parlamentare.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të martën për asgjesimin e materialit zgjedhor të zgjedhjeve të 8 qershorit. Sipas vendimit të KQZ-së, materiali i vetëm që nuk do të asgjësohet është ai që ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Kosovës. 

Top Channel