Palestinezët lënë banesat

14/07/2014 00:00

Pas paralajmërimeve të Izraelit për sulme të tjera ajrore, me mijëra palestinezë kanë nisur të largohen nga veriu i Gazës. Sipas OKB-së, të paktën 17.000 persona kanë kërkuar strehim në qendrat e saj.

Që nga fillimi i ofensivës së shtetit hebre një javë më parë, bilanci i vdekjeve në këtë territor është 172, ndërsa nga ana e Izraelit nuk ka viktima. Të dielën, forcat e tij sulmuan një zonë të dyshuar si vend nga ku hidheshin raketa e sipas mediave të huaja, ky ishte dhe raporti i parë për inkursion tokësor.

Trupat elitë zbarkuan mëngjesin e një dite më parë në bregun e Rripit të Gazës dhe vepruan kundër qendrave të goditjes me synimin të pengojnë lëshimin e raketave me rreze të gjatë veprimi drejt qyteteve izraelite.

Shteti hebre i kundërshton shifrat e dhëna për jetët e humbura në radhët e palestinezëve, duke i cilësuar të ekzagjeruara, e madje zëdhënësi i forcave ajrore i tha BBC-së së për shkak të frikës mos goditeshin civilë, Izraeli ka hequr dorë nga disa sulme.

Megjithatë, sipas të dhënave të OKB-së, jo pak por 77% e të vrarëve në Gaza janë civilë. Përballë ngjarjeve dramatike, diplomacia ndërkombëtare është vënë në lëvizje. Këshilli i Sigurimit bëri thirrje për armëpushim e bisedime paqeje, ndërsa një ditë më parë ministrat e jashtëm të Gjermanisë, SHBA, Britanisë së Madhe dhe Francës, të mbledhur në kuadër të bisedimeve bërthamore në Vjenë, diskutuan edhe mbi mundësinë e një pushimzjarri në Gaza.

Shefi i diplomacisë gjermane do të udhëtojë për këtë qëllim në Lindjen e Mesme, Liga Arabe ka thirrur një mbledhje urgjente në Kairo, ndërsa Këshilli i Sigurimit pritet të zhvillojë një mbledhje tjetër të posaçme. Në përgatitje të sulmeve edhe më të mëdha, ushtria e Izraelit u bëri thirrje banorëve të Rripit verior të Gazës dhe veçanërisht banorëve të qytetit Beit Lahia, me anë të fletëvolanteve, sms-ve dhe telefonatave automatike që të largohen nga zonat e banimit deri në mesditë.

Top Channel