SHBA mbyll laboratorët e sëmundjeve infektive

12/07/2014 00:00

Laboratorët e sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara kanë gabuar plot pesë herë gjatë dekadës së fundit në trajtimin e patogjeneve të rrezikshëm.

Vetëm këtë vit, sipas raportit të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, punonjësit e këtyre laboratorëve kanë humbur provëza me antraks dhe virusin e gripit të shpendëve, H5N1. Për këtë arsye, Agjencia e Shëndetit vendosi të mbyllë dy prej tyre, e përkohësisht i ka ndaluar dhe të tjerëve zhvendosjen e patogjeneve me rrezikshmëri të lartë.

Nuk ka pasur raporte për infektime nga rastet e mëparshme dhe asnjë nga personat e ekspozuar ndaj antraksit nuk ka dhënë shenja të prekjes nga sëmundja. Megjithatë, të tilla episode për drejtuesin e kësaj qendre, Tom Frieden nuk duhet te kishin ndodhur kurrë.

“Jam i zhgënjyer e i zemëruar, për të mos thënë dhe i habitur që gjëra të tilla kanë ndodhur këtu tek ne. Do të marrim masa që të mos përsëriten”, tha ai.

Incidentet përmenden në raportin mbi nje ekspozim të mundshëm ndaj antraksit në muajin qershor, i regjistruar në një laborator të sofistikuar të biosigurisë, kur kërkuesit që punojnë atje nuk ndoqën procedurat e caktuara e nuk arritën të çaktivizojnë bakteriin. Pas kësaj, provëzat u dërguan në një laborator të një sigurie më të ulët në kompleksin e Agjensisë në Atlanta.

Nuk është hera e parë që kemi probleme të kësaj natyre, thuhet në raport. Bakteri i antraksit mund të shkaktojë vdekje nëse personi i prekur prej tij nuk merr trajtimin e duhur mjekësor, ndërsa rasti më i fundit i kontaminimit nga një provëz me virusin e gripit të shpendeve, u regjistrua në muajin maj.

Mbyllja e dy laboratorëve në fjalë vjen vetëm pak ditë pasi zyrtarët amerikanë njoftuan se në një qendër kërkimore pranë ëashingtonit u zbulua një kuti epruvetash me virusin e lisë, të harruara aty prej kohësh.

Top Channel