Putin, vizitë në Amerikën Latine

12/07/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin po viziton Amerikën Latine, një tur ky që konsiderohet si një përpjekje e tij për të krijuar aleanca kundër influencës së Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit.

Në Kubë, që ishte dhe ndalesa e tij e parë, Putin u takua me liderein Raul Castro dhe parardhësin dhe vëllain e tij, Fidel Castro. Dy ditë para vizitës, Rusia konfirmoi anulimin e 90 për qind të borxheve të vendit latin.

Shefi i Kremlinit do të udhëtojë gjithashtu në Argjentinë dhe Brazil, ku do të shohë edhe finalen e Kupës së Botës që luhet ditën e diel, si lider i vendit që do të presë evenimentin e madh në 2018.

Më vonë ai do të marrë pjesë në një samit të vendeve me ekonomitë në zhvillim, ku do të jenë të pranishme India, Kina dhe Afrika e Jugut e që do të mbahet në qytetin brazilian Fortaleza.

“Sot, bashkëpunimi me shtetet e Amerikës Latine është një nga linjat kryesore të politikës së jashtme ruse”, deklaroi Putin për median shtetërore kubaneze.

“Ne u jemi mirënjohje amerikano-jugorëve për mbështetjen e iniciativave tona ndërkombëtare”, shtoi lideri rus.

Putin po përpiqet të forcojë lidhjet me rajonin latin, pjesërisht për të balancuar atë humbje nga dëmtimi i marrëdhënieve me Perëndimin për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë.

Ai po thekson mbështetjen për një Amerikë Latine të fortë dhe të bashkuar, si pjesë e asaj që e quan një “botë shumëpolëshe”, raporton korrespondentja e BBC në Havana.

Gjatë vizitës, zoti Putin dhe Raul Castro vizituan së bashku një varrezë në kryeqytetin kubanez për të përkujtuar ushtarët sovietikë.

Top Channel