Paqja e munguar në Lindjen e Mesme

12/07/2014 00:00

Të ndezura nga vdekja e adoleshentit Mohammed Abu Khdair dhe e tre të rinjve izraelitë përpara tij, por të ushqyera nga mëri të vjetra shumë më të thella, tensionet mes izraelitëve dhe palestinezëve u rikthyen fillimisht me përleshjet nëpër rrugë, më pas me sulmet ajrore të shtetit hebre në Gaza dhe raketat e militantëve të Hamasit në qytetet jugore të izraelit.

“Të gjithë thonë se duan paqen, kanë 20-25 vjet që flasin për të, por ne kemi humbur dinjitetin si popull. Boll me kaq, njerëzit janë gati të shpërthejnë”, dëgjon të flitet rrugëve të Jeruzalemit nga palestinezët, thotë CNN.

Vitet e fundit, një shpërthim të mirëorganizuar dhune nga ana e palestinezëve nuk ka pasur, por në mënyra të tjera, e ndoshta jo të gjitha të raportuara, këta njerëz ngrenë nga pak krye çdo ditë, qoftë duke sfiduar kontrollet në postoblloqe, qoftë me akte të tjera më të vogla të mosbindjes civile.

“Jemi në mesin e krizës ekonomike”, thotë Abdul Hakim, pjesëmarrës i Intifadës së parë në territore, “taksa të larta, kosto të lartë të jetesës, duhen vite të tera që të marrësh një leje nëertimi. Ndërsa ata të konfiskojnë si pa të keq tokën tonë dhe ngrenë aty kolonitë e veta rreth e rrotull nesh”.

“Sa mendoni se do të durojnë njerëzit? Gurët e tyre nuk e cënojnë Izraelin, e as shishet me benzinë që i lëshojnë policisë. Secila palë ka humbur jetë e derdhur gjak. Shtresa të tëra mosbesimi, urrejtje por edhe rezistence janë krijuar në kohë. Përleshje si këto të ditëve të fundit me shumë gjasë do të vazhdojnë duke shkuar mbase në përkeqësim”, vijon Hakim.

Autoritetet izraelite thonë se do të tregojnë vetëpërmbajtje në përpjekjet për ta mbajtur situaten nën kontroll. Por ndoshta tani është shumë vonë. Kur dhuna tërheq dhunën, paqja pak mundësi ka të vendoset, e në Lindjen e Mesme, kjo ka shumë kohë që ndodh.

Top Channel