Separatistët vrasin 20 ushtarë ukrainas

11/07/2014 00:00

Të paktën 20 ushtarë ukrainas mbetën të vrarë gjatë një sulmi me raketa nga separatistët pro-rusë në lindje të vendit.

Sipas zyrtarëve të Kievit, separatistët kanë përdorur në sulmin ndaj ushtrisë ukrainase raketa ‘Grad’, duke plagosur edhe 90 ushtarë të tjerë në sulmin më vdekjeprurës që pas përfundimit të njëanshëm të armëpushimit të muajit të kaluar.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidentit të Ukrainës Petro Poroshenko, i cili është zotuar se ushtria do të hakmerret ndaj separatistëve.

“Militantët do ta paguajnë shtrenjtë çdo jetë të ushtarëve tanë. Asnjë nga terroristët nuk do të ketë mundësi t’i shmanget përgjegjësive, të gjithë do të paguajnë”, ka thënë Presidenti Poroshenko pas një takimi të shefave të sigurisë.

Autoritetet ukrainase thanë se kryengritësit sulmuan me raketa ‘Grad’ trupat ukrainase në Zelenopillya, një fshat pranë kufirit me Rusinë, ndërsa pro rusët pranuan sulmin, duke thënë se kanë shkatërruar një autokolonë të ushtrisë.

Më herët gjatë se premtes, Amnesty International deklaroi se ka mbledhur të dhëna dhe prova për rrahje barbare dhe tortura të tjera të ushtruara nga separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Grupi i të drejtave të njeriut deklaron se protestuesit dhe gazetarët janë sulmuar sistematikisht nga rebelët në tre muajt e fundit. Raporti i Amnesty, “Rrëmbimet dhe Torturat në Lindje të Ukrainës”, thotë se qindra persona kanë rënë pre e dhunës.

Top Channel