Lufta në Gaza, ndërhyjnë SHBA

11/07/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të ndërmjetësojnë një armëpushim mes Izraelit dhe Palestinës në Gaza, ka deklaruar presidenti amerikan Barack Obama.

Deklarata e tij u bë në një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Ky i fundit deklaroi më herët se operacionet ushtarake në Gaza po vazhdonin sikurse ishte planifikuar dhe së shpejti do të hynë në faza të tjera.

Sulmet ajrore në Gaza dhe ato me raketa të militantëve ndaj Izraelit vazhduan gjatë natës. Mbi 90 banorë të Gazës kanë vdekur që prej së martës, deklarojnë burime palestineze.

Thuajse gjysma e personave të vrarë janë civilë, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë, sipas të cilës rreth 600 persona të tjerë janë plagosur.

Nga ana e tij Izraeli deklaron se disa dhjetëra terroristë janë mes viktimave dhe se militantët kanë qëlluar rreth 500 raketa nga Gaza që nga nisja e operacioneve ditën e martë.

Sipas njoftimit, shumica e raketave të qëlluar janë asgjesuar në ajër nga sistemi anti-raketë Kupola e Hekurt. Nga pala izraelite nuk ka pasur raportime për viktima.

Një person u plagos rëndë kur një raketë qëlloi një stacion nafte në qytetit jugor Ashdod mëngjesin e së premtes. Po në orët e para të së premtes një raketë u qëllua nga jugu i Libanit në veri të Izraelit, por sërish pa shkaktuar viktima.

Ndërsa në Gaza, një sulm ajror izraelit në qytetin jugor të Rafahut vrau gjatë natës të paktën 3 persona, raportojnë burime palestineze.

Raketa nga libani në Izrael
Netanyahu urdhëron ushtrinë të mobilizojë më shumë trupa

Një raketë është lëshuar nga jugu i Libanit në veri të Izraelit dhe ushtria e shtetit hebre nuk ngurroi të përgjigjej me zjarr artilierie.

Episodi shqetësues vjen në mesin e ofensivës ajrore izraelite në Gaza kundër militantëve të Hamasit, që vazhdojnë të reagojnë me mënyrën e vjetër: lëshimin e raketave në qytetet e Izraelit.

Raketa nga Libani ra në afërsi të Metulës së ndodhur shumë pranë kufirit mes dy vendeve. Për momentin nuk dihet me saktësi se kush e hodhi, por Izraeli duket se nuk dëshiron të zgjatet me hamendësime e menjëherë e drejtoi gishtin nga qeveria libaneze.

Sipas agjencisë libaneze të lajmeve NNA, dy raketa janë lëshuar nga qyteti Mari, në jug të Libanit, ndërsa hedhja e të tretës kishte dështuar.

Forcat vendase të sigurisë kanë sekuestruar në atë zonë dy raketa të tjera e pajisje të tjera ushtarake. Nga sa pohon e njëjta agjenci, perdja e zjarrit të artilierisë izraelite goditi periferitë e lokalitetit Kfar Shouba.

Me rëndimin e situatës në rajon, Izraeli ka mobilizuar gati 30.000 rezervistë, siç pohojnë vetë zyrtarët e shtetit hebre. Kabineti i Benjamin Netanyahu ka autorizuar ushtrinë të përgatisë deri në 40.000 trupa, 10.000 më shumë nga sa u angazhuan në konfliktin e dy viteve më parë në Gaza.

Sipas zëdhënësit të qeverisë, Mark Regev, njësitë ushtarake tashmë janë dislokuar në terren. “Ne jemi gati për luftë, nëse kjo do të jetë e nevojshme”, deklaroi ai.

Kufiri izraelito-palestinez ka qenë më së shumti i qetë që prej konfliktit të verës së vitit 2006, i cili vuri ushtrinë izraelite përballë militanteve të Hezbollahut shiit libanez.

Këtë muaj megjithatë, tensionet mes tyre u rishfaqën me vrasjen e dy luftëtarëve të Hezbollahut që mendohet se po përpiqeshin të vendosnin një bombë në afërsi të një zone të fortifikuar në Lartësitë Golan, një territor sirian i pushtuar nga Izraeli në vitin 1967. 

Top Channel