
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry mbërriti në Afganistan në përpjekje për të zgjidhur situatën e tensionuar që po mbizotëron në këtë shtet që pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale.
Kerry pritet të takohet me dy kandidatët që pretendojnë fitoren në balotazhin e muajit qershor, Abdullah Abdullah dhe Ashraf Ghani.
Presidenti aktual, Hamid Karzai nuk kandidoi në këto zgjedhje. Ai ishte nën drejtimin e vendit prej më shumë se 10 vjetësh, që pas ndërhyrjes së SHBA për rrëzimin e talebanëve.
Diplomati më i lartë i Amerikës paralajmëroi se Afganistani rrezikon humbjen e sigurisë dhe të mbështetjes, nëse dikush do të tentojë të marr pushtetin me mjete jo të ligjshme.
Rezultatet paraprake të shpallura nga autoritetet zgjedhore vendase japin 56.44% për Ashraf Ghani në balotazhin e 14 qershorit.
Të dy kandidatët kanë akuzuar njëri-tjetrin për vjedhje të votave. Gati një e treta e qendrave të votimit janë duke u rinumëruar votat.
Misioni i Asistencës së OKB-së në Afganistan i kërkoi të dyja palëve që t’i bëjnë thirrje përkrahësve të tyre të ruajnë qetësinë dhe të mos ndërmarrin hapa që mund të çojnë në destabilitet të vendit.
Top Channel