Kufiri SHBA-Meksikë

10/07/2014 00:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barck Obama ka mbështetur guvernatorin republikan të Teksasit mbi rekomandimet për përmirësimin e sigurisë në kufirin SHBA-Meksikë.

Obama u shpreh se nuk kishte asnjë kundërshtim për rritjen e numrit të agjentëve në patrullat kufitare, por sipas tij, Kongresi e ka vonuar këtë rritje të sigurisë në kufij duke mos miratuar kërkesën për rritje të fondeve shtesë.

Shtëpia e Bardhë kërkoi 3.7 miliardë dollarë fonde shtesë gjatë ditës së martë. Obama i bëri thirrje prindërve në Amerikën Qendrore të ndalojnë fëmijët e tyre të mos ndërmarrin udhëtime të rrezikshme të pashoqëruar nëpër Meksikë, me synim kalimin më pas të kufirit me SHBA-në.

“Prindërit duhet ta kenë të qartë që kjo është një situatë tepër e rrezikshme dhe nuk ka asnjë mundësi që fëmijët e tyre edhe nëse do të arrijnë të kalojnë kufirin të qëndrojnë më pas në SHBA”, u shpreh Obama.

Financimet emergjente do të përdoren për punësimin e 40 agjentëve, një avioni të telekomanduar që do të merret me vëzhgimin e kufirit, gjithashtu edhe për shërbime mjekësore dhe shpenzime të transportit.
 
“Sigurimi i kufirit është i arritshëm dhe Presidenti duhet të angazhojë burimet e nevojshme për të arritur këtë gjë”, tha guvernatori i Teksasit.

Kërkesa shtesë e Obamës vjen në një kohë kur Kongresi ka bllokuar prej muajsh një projekt/ligj të gjerë që do të rregullojë sistemin e emigracionit.

Top Channel