Gjermania miraton dyshtetësinë

04/07/2014 00:00

Bundestagu gjerman ka miratuar një ligj me të cilin lejohet dyshtetësia, një e drejtë nga e cila nuk do të përfitojnë të gjithë. Reforma e së drejtës së nënshtetësisë mori 463 vota pro dhe 111 kundër.

Fëmijët e personave me origjinë të huaj në Gjermani do ta kenë në të ardhmen më lehtë të mbajnë pasaportën e vendit të prejardhjes së prindërve e të marrin edhe atë gjermane, thote “DW”.

Por kritikët e ligjit argumentojnë se rregullat duhej të parashikonin përfshirje edhe më të gjerë, të më shumë kategorive aplikuesish.

Deri tani fëmijët e lindur në Gjermani nga prindër me origjinë të huaj duhej vendosnin në moshën 18-23 vjeç për njërën nga nënshtetësitë: atë të vendit të origjinës së prindërve të tyre, ose atë gjermane.

Sot e tutje ata do të kenë të drejtën t’i mbajnë të dyja pasaportat, në qoftë se kanë jetuar në Gjermani të paktën tetë vjet, apo gjashtë vjet nëse kanë shkuar në ndonjë shkollë gjermane. Për të pasur të drejtën e dyshtetësisë mjafton edhe marrja e një diplome shkollore apo profesionale në këtë vend.

Autoritetet do të kontrollojnë edhe në të ardhmen nëse janë plotësuar kushtet për nënshtetësinë gjermane. Vetëm nëse nuk plotësohen kushtet, atëherë do të kërkohen dëshmi të tjera, siç janë diplomat apo çertifikatat shkollore.

Nga ky rregull pritet të përfitojnë kryesisht turqit në Gjermani, sepse shumë prej tyre deri më sot kanë dashur ta mbajnë edhe pasaportën e Turqisë.

Top Channel