“T’i jepet fund dënimit me vdekje”

03/07/2014 00:00

“Dënimi me vdekje nuk ka vend në shekullin e 21. Së bashku ne mund t’i japim fund kësaj praktike mizore në të gjithë botën”, kështu ka deklaruar sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, i cili i bëri thirrje të gjitha vendeve të shfuqizojnë këtë formë dënimi.

Ban Ki-moon foli gjatë një takimi të mbajtur në selinë e OKB-së dhe i organizuar posaçërisht për dënimin me vdekje.

Shefi i OKB u shpreh tepër i shqetësuar sidomos nga zbatimi i dënimit me vdekje për vepra që nuk e kalojnë pragun sipas ligjit ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut mbi krimet e rënda, duke përfshirë këtu vepra penale të lidhura me trafikun e drogës. Gjithashtu Ban Ki-moon kërkoi të tërhiqte vëmendjen edhe të 14 shteteve të cilat në legjislacionin e tyre lejojnë dënimin me vdekje për fëmijët, si edhe dhënia e dënimeve në grup.

Para mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ai i bëri thirrje të gjitha shteteve të marrin masa në 3 drejtime kryesore: Të ratifikohet protokolli i dytë i Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike; të mbështetet Rezoluta për moratorium në dhënien e dënimit me vdekje; dhe të merren hapa konkrete drejt heqjes apo mos praktikimit të kësaj forme dënimi.

Top Channel