Shtyhet varrimi i të riut palestinez

03/07/2014 00:00

Autoritetet izraelite ndaluan funeralin e adoleshentit palestinez, të vrarë një ditë më parë në atë që dyshohet si një veprim hakmarrës ndaj rrëmbimit dhe vrasjes më herët të tre adoleshentëve izraelitë.

Trupi i pajetë i 17-vjeçarit Mohammed Abui Khdair u gjet gjysmë i djegur në një zonë pyjore jo shumë larg shtëpisë së tij, në Jeruzalemin Lindor.

Autoritetet izraelite thanë se mjekë izraelitë dhe palestinezë janë duke kryer ekzaminimin mjeko-ligjor me shpresën e gjetjes së ndonjë shenjë që mund të çojë tek ekzekutorët e tij.

Varrimi i të riut ishte parashikuar të mbahej në mesditë. Babai i adoleshentit thotë se shpreson që ekzaminimi të përfundojë sa më shpejt dhe i biri të pushojë në banesën e tij të fundit.

Ai nuk kurseu akuzat ndaj forcave të sigurisë izraelite duke thënë se është mbajtur për 8 orë me radhë në një rajon në Jeruzalem ku kanë tentuar ta detyrojnë që të thotë se sulmi makabër ndaj djalit të tij nuk ishte hakmarrje ndaj vrasjes së tre adoleshentëve izraelitë.

Një ditë më parë qindra protestues palestinezë u përleshën me forcat e sigurisë në Lindje të Jeruzalemit, por fatmirësisht nuk janë raportuar viktima.

Izraeli fajëson Hamasin për rrëmbimin e tre të rinjëve izraelitë teksa ktheheshin nga shkolla e më pas ekzekutimin e tyre. Të rinjtë u zhdukën disa ditë më parë dhe vetëm të hënën u gjetën trupat e tyre të pajetë.

Hamasi mohon të ketë gisht në vrasjen e të rinjëve, por pavarësisht kësaj Izraeli ka ndërmarrë disa operacione ajrore në Rripin e Gazas, ku për Tel Avivin objektiv kanë qenë bazat e Hamas.   

Top Channel