ISIS, Islami i Mesjetës me Facebook

03/07/2014 00:00

Grupi militant, i njohur si Shteti Islamik në Irak e Levant (ISIS-ISIL), befasoi shumë prej zyrtarëve amerikanë e irakianë, me avancimin e vrullshëm në rajonet veriore të Irakut, përgjatë fushatës së tij të egër për krijimin e një shteti të ri fetar.

Por, fitoret e korrura javët e fundit janë pasojë e manovrave disa mujore përgjatë lumenjve Tigër dhe Eufrat, përvijuese të një zone të konsideruar si djepi i civilizimit.

ISIS nuk ka veçse një vit, që mori jetë nga mbetjet e al-Kaedës në Irak, e nisi të vepronte në Siri. Vakumi i krijuar prej luftës civile të vendit ofroi një hapësirë të rehatshme për forcimin e grupit.

Rebelët sirianë fillimisht e pranuan si aleatin e tyre, por shumë shpejt u bë e qartë se nuk ndanin të njëjtat qëllime: ISIS ishte më i interesuar në formimin e një shteti islamik, se sa në rrëzimin e qeverisë siriane, e për ta vënë në jetë planin e tij nuk e kishte problem të vinte në shënjestër kryengritësit e tjerë.

Tensionet kulmuan me një revoltë kundër tij e, në Janar, rebelët e dëbuan nga Aleppo. Nga ky moment nis zhvendosja e tij në Lindje, rrugë përgjatë së cilës sulmohen bazat e kryengritësve e merren në kontroll qytete të vogla si Jarablousi, kufitar me Turqinë, një pikëkalimi strategjike për furnizime.

ISIS ka frymëzuar një gjeneratë të tërë xhihadistësh të përqendrohen tek ideja e një shteti islamik, arritja e të cilit kërkon flijimin e shiitëve, e madje edhe të sunitëve rivalë me ta, siç ishte rasti i kryqëzimit të tetë luftëtarëve rebelë në qendër të Jarablousit, për faktin e thjeshtë se konsideroheshin ca si tepër të moderuar.

Al-Kaeda, predikimet e së cilës janë kundër derdhjes pa shkak të gjakut musliman, i ka ndërprerë lidhjet me organizatën, e dënon taktikat e saj. Edhe pse praktikon një variant të Islamit të shekullit të 7, qasja e tij në raport me publikun është mëse moderne.

Përdor Facebook-un si gjenerator për kërcënimet me vdekje, e Youtube-n dhe Twitter-in për të postuar pamje e foto të tmerrshme, që të frikësojë armiqtë e vet, siç ishte prerja e dorës së një burri, e përcjellë me video pa censurë.

Tani, ISIS zotohet të marshojë drejt Bagdadit, por marrja dhe vënia nën kontroll e kryeqytetit irakian, me shumicë kryesisht shiite, do të jetë shumë më vështirë se sa avancimi i tij në rajonet sunite, ku pothuajse nuk hasi në rezistencë.

Top Channel