Sarkozy: Akuzat ndaj meje, politike

02/07/2014 00:00

Në reagimin e parë publik ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy i cilëson të motivuara politikisht akuzat e ngritura kundër tij për influencim dhe korrupsion.

“Kemi të bëjmë me një situatë serioze, mjaftueshëm sa t’i themi popullit francez se pjesë të sistemit të drejtësisë po kontrollohet nga politika sot”, deklaroi ai.

Akuzat për korrupsion ndaj tij u ngritën zyrtarisht paraditen e së mërkurës nga hetuesit francezë. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse Sarkozy, që drejtoi Francën nga viti 2007 në 2012, i kishte premtuar një rol të rëndësishëm në Monako një gjyqtari të nivelit të lartë në këmbim të informacioneve mbi çështjen e hapur ndaj tij mbi financimin e fushatës nga ish-diktatori libian, Muamar Gadafi. Vetë Sarkozy, i cili u lirua gjatë orëve të natës, ka mohuar akuzat se fushata e tij zgjedhore është financuar pjesërisht nga ish-diktatori libian Muamar Gadafi.

Zhvillimet e fundit shihen si një goditje ndaj përpjekjeve të zotit Sarkozy për të marrë pjesë në garën presidenciale të vitit 2017. Ai u ndalua mëngjesin e së martës, pasi u thirr për t’u marrë në pyetje nga policia në Nante.

Ky është rasti i parë që një ish-president francez përballet me akuza kaq të rënda për kohën kur ishte në krye të detyrës. Paraardhësi i tij, Jacques Chirac, mori një dënim të pezulluar me burg në vitin 2011, për përvetësim parash dhe shkelje të tjera gjatë kohës kur ishte kryetar i Bashkisë së Parisit.

Top Channel