ISIS rrit trysninë në Bagdad

02/07/2014 00:00

Militantët sunitë, të vendosur për të arritur qëllimin e tyre për krijimin e një kalifati islamik, po shtojnë trysninë mbi Bagdadin. Kjo ka frikësuar zyrtarët e Irakut të cilët po kërkojnë ndihmë nga kushdo që mund ta ofrojë atë, madje edhe nëse një gjë e tillë do të kërcënonte distancimin nga Shtetet e Bashkuara.

Në qiellin mbi Bagdad ka shenja shprese, jo nga amerikanët, por nga rusët. Anwar Hamma është gjeneral-lejtnant në ushtrinë irakene. “Unë mund të konfirmoj se avionët luftarakë do të përdoren kundër ISIS-it në ditët e ardhshme për të luftuar terrorizmin”, thotë Hamma.

Për javë të tëra, zyrtarët irakenë janë ankuar rreth mungesës së sulmeve ajrore amerikane kundër militantëve. Në Uashington, ambasadori irakian Lukman Faily nuk shprehu keqardhje.

“Ne kemi nevojë të mbulojmë këtë boshllëk. Në qoftë se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta mbushin atë, ne do të mirëpresim këdo që mund ta bëjë, duke përfshirë Rusinë“, thotë Faily.

Siguria e Bagdadit dhe rrethinave të tij është një shqetësim në rritje dhe zyrtarët ushtarakë amerikanë e pranojnë se grupi Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit është duke paraqitur probleme, madje me vetëm praninë e tij në rajon.

“Ne vazhdojmë të shohim ISIS-in duke bërë presion mbi Bagdadin nga veriu dhe nga perëndimi. Përpjekjet e tyre nuk janë ndalur”, deklaron admirali John Kirby, zëdhënës i Pentagonit.

ISIS vazhdoi demonstrimin e forcës së tij përtej kufirit në Siri, ku organizoi një parakalim me armët e kapura. Ndërkohë, në një regjistrim në audio të udhëheqësit të fraksionit të publikuar në internet, u bëhet thirrje myslimanëve të bashkohen me kalifatin e tij të vetëshpallur.

“Unë e kuptoj se ata kanë shpallur krijimin e këtij kalifati. Por, shpallja e tij përmes një deklarate nuk e bën atë realitet”, thuhet në regjistrim.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara janë duke e trajtuar këtë problem me seriozitet, duke dërguar 300 ushtarë të tjerë në Bagdad të mbështetur nga avionë pa pilotë dhe helikopterë “Apache” për të mbrojtur ambasadën dhe aeroportin e Bagdadit.

Në lidhje me akuzat e Irakut se Shtetet e Bashkuara nuk po bëjnë aq sa duhet, zyrtarët e Pentagonit thonë se këshilltarët ushtarakë amerikanë janë ende duke vlerësuar kërcënimin dhe nevojat e Irakut dhe se irakianët mund të bisedojnë me këdo që ata duan për aq kohë sa ato vende nuk kontribuojnë në intensifikimin e tensioneve sektare.

Top Channel