Greqi, vetvaret i burgosuri shqiptar

21/06/2014 00:00

Një shtetas shqiptar 35 vjeç është gjetur i varur në qelinë e tij në rajonin e policisë se Kallamatës. Sipas policisë greke, 35-vjecari, emri të cilit nuk bëhet publik u gjet i varur në qeli gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës.

Autoritet thonë se 35-vjeçari do të dërgohej të hënën në gjykatë për masën sigurisë, pasi ai akuzohej se qe prej tre vjetësh përdhunonte të bijën e tij. Akti barbar kryhej në banesën e çiftit në kohën që bashkëshortja e tij ndodhej në punë.

Vogëlushja i tregoi të ëmës për përdhunimin që vetë i ati i saj kryente për gati tre vite dhe kjo e fundit e denoncoi në polici ku dhe u ndalua.

35-vjeçari kishte mohuar akuzat, por duket se ekspertiza mjeko-ligjore dhe deponimet e vetë të bijës do ta dërgonin atë në burg. I gjendur nën peshën e akuzave tepër të rënda dhe frikës për akte hakmarrje ndaj tij në burgjet greke, 35-vjecari ka vendosur t’i japë fund jetës së tij.

Ai u vetëvar me një çarçaf që gjendej në qeli. Drejtoria e Policisë së Kallamatës ka urdhëruar një hetim lidhur me rrethanat e ngjarjes, kurse trupi i viktimës u dërgua në morg për ekzaminim mjeko-ligjor.

Top Channel