Gjykata pezullon Endira Bushatin

20/06/2014 00:00

Gjykata e Tiranës ka vendosur pezullimin e Endira Bushatit nga posti i kryetares së AMA-s. Kërkesa për pezullim ka ardhur nga Prokuroria e Tiranës, pasi ndaj saj ka një çështje të hapur për shpërdorim detyre.

Prokuroria ka kërkuar që gjykata të vendosë masë pezullimi deri në përfundimin e procesit, për shkak se në rolin e saj si kryetare e AMA-s zonja Bushati mund të ndikojë në ecurinë e hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj saj.

Kërkesa e prokurorisë është pranuar nga gjykata dhe nga ky moment zonja Bushati nuk mund të ushtrojë më detyrën si kryetare, nuk mund të marrë asnjë vendim dhe nuk ka të drejtën e firmës për asnjë proçedurë.

Në fakt, kërkesa e prokurorisë ka ardhur në një kohë kur në ditët e fundit në zyrat e AMA-s ka patur një aktivitet të ngjeshur dhe të pazakontë deri në orët e vona të mbrëmjes dhe ndonjë ditë edhe në orët e para të mëngjesit, ku mendohet, siç citohen burime të ndryshme edhe nga vetë brenda institucionit, se është kryer fotokopimi dhe marrja e materialeve të këtij institucioni.

Në të njëjtën kohë, Kuvendi është në proces të zgjedhjes së anëtarëve të rinj teksa ka konstatuar edhe se zonja Bushati po qëndron në detyrë pa patur një mandat anëtari.

Top Channel