Do të ndërtohet bypass-i i Vlorës

20/06/2014 00:00

Një kontratë e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Europiane të Investimeve pritet t’i japë fund kaosit që shkaktohet çdo sezon veror nga mungesa e një bypassi në dalje të Vlorës.

Kontrata parashikon financimin prej 18 milionë euro të baypass-it që përmes një rruge panoramike bën devijimin e lëvizjes nga qyteti përgjatë vijës bregdetare.

Kontrata me Bankën Europiane të Investimeve është pjesë e bashkëfinancimit të projektit, sëbashku me BERZH-in dhe BE-në përmes fondeve IPA, me vlerë totale financimi prej 53 milionë Euro.

“Projekti i ndërtimit të bypass-it të Vlorës është një ndër projektet prioritare të qeverisë, në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim. Objektivi i tij është rritja e shpejtësisë në lëvizje, çlirimi i trafikut, rritja e komoditetit dhe e sigurisë në rrugë dhe në lëvizje, si dhe përmirësim i situatës ambientale në qytetin e Vlorës. Realizimi i këtij projekti si nyje lidhëse në korridorin veri-jug është tepër i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë jugore, zhvillimin industrial, për turizmin dhe me impakt në bujqësi, për transportin e prodhimeve bujqësore”, deklaroi ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

Ndërsa zv/presidenti i Bankës Europiane, Dario Scannapieco vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare.

“Kjo është një kontratë që do të kontribuojë më tej për zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe një kontratë që do ta çlirojë qytetin e Vlorës nga trafiku i rëndë, në veçanti në muajt e verës. Përveç këtij projekti, më lejoni t’ju them se ndjehemi shumë të kënaqur, për ta shtuar bashkëpunimin mes Bankës Europiane të Investimeve dhe qeverisë shqiptare, pasi ne besojmë se është thelbësore që ne të vazhdojmë të mbështesim rritjen ekonomike të Shqipërisë, në mënyrë që të njihet akoma më tej roli i saj jo vetëm në pjesën detare të Adriatikut dhe Jonit, por në të gjithë rajonin në përgjithësi dhe që vendi juaj të jetë epiqendra e këtyre projekteve që do të ndodhin në të gjithë rajonin”, deklaroi Scannapieco.

Projekti i bypass-it përfshin rrethrrotullimin në fund të autostradës Levan-Vlorë dhe një rrugë prej 29 kilometrash dhe parashikohet të përfundojë në pranverën e vitit 2017. Ai synon të rrisë sigurinë e lëvizjes dhe të lehtësojë qarkullimin në qytetin e Vlorës.

Top Channel