Duke nisur nga dita e sotme, bizneset nuk do të kryejnë më proçedura që zgjasin me ditë për kalimin e mallit në kufirin Shqipëri-Kosovë.
Aplikimi i Tranzitit të përbashkët mes dy vendeve bën të mundur nisjen e mallrave tranzit nga Shqipëria me destinacion doganat e brendshme kosovare dhe anasjelltas, duke reduktuar kohën e qëndrimit dhe koston për biznesin.
“Nëse një kamion vjen me anije dhe niset nga Durrësi për të arritur në Kosovë, më parë duhet të bënte një sërë tranzitesh, ndërkohë që me tranzitin e përbashkët që ne do të nisim, mallrat vijnë nga dogana e Durrësit apo kushdo tjetër e Shqipërisë dhe vazhdojnë, bëjnë një proçedurë që nuk zgjat mbi 5 minuta dhe vijojnë në doganën e brendshme të Kosovës dhe anasjelltas”, deklaroi drejtoresha e përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali.
“Biznesi do ketë kosto më të ulët e më të shkurtër për të qarkulluar mallrat e veta mes Kosovës dhe Shqipërisë”, deklaroi nga ana tjetër Lulzim Rafuna, drejtor i Doganës së Kosovës.
Një tjetër çështje problematike e vërejtur veçanërisht në verë është qëndrimi për orë të tëra në kufi i qytetarëve nga Kosova që duan të vijnë në Shqipëri.
“Nuk janë të pazakonta radhët e gjata në kufirin Morinë-Vërmicë, sidomos në pikën e kufirit të hyrjes në Shqipëri, gjatë periudhës së verës, ndaj do të mundësojmë proçedura të lehtësuara për kalimin e shpejtë të qytetarëve në atë pikë”, njoftoi Spiropali.
Drejtorët e Doganave të Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan edhe një marrëveshje për ndërtimin e terminalit të përbashkët Shqipëri-Kosovë me financim të delegacionit të BE.
Top Channel