Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon qeverisë të rishikojë marrëveshjen e shumëpërfolur konçesionare të skanimit në dogana. Kryetarja e Autoritetit, Lindita Lati shtron një nga variantet e mundshme se si marrëveshja mund të ndryshohet.
“Ne vendosim në vëmendje të politikëbërjes rëndësinë e ndarjes së tregjeve sipas praktikave të BE. Kontrolli në rastin konkret duhet të bëhet nga shteti dhe infrastruktura të ofrohet nga konçesionari. Ky shërbim duhet të jetë në të mirë të publikut”, deklaron Lati.
Pas një shyqrtimi të hollësishëm të konçesionit, Autoriteti ka dalë në përfundimin se, përveçse rrit kostot për biznesin, kontrata e nënshkruar nga qeveria e mëparshme shkel disa ligje, përfshirë edhe një që prevalon mbi çdo marrëveshje apo ligj kombëtar.
“Nga vlerësimi ynë doli se kjo bie ndesh me MSA, përkatësisht me nenin për tregtinë e lirë. Vendosja e një shërbimi të tillë çon në rritjen e tarifave doganore, që bie ndesh me parimet e konkurrencës së lirë dhe marrëveshjet për tarifat doganore që vendosen mes shteteve”, nënvizon Lati.
Në një kontratë vlerësimi të kryer nga MF thuhet se, një rishikim i konçesionit në mënyrë të njënashme mund ta penalizojë Shqipërinë deri në 70 milionë euro. Ndonëse jashtë fushëveprimit të tyre, edhe për këtë pikë ekspertët e Autoritetit e kanë një sugjerim që mund t’i vijë në ndihmë qeverisë.
“Në këtë marrëveshje ne nuk kemi mundur të identifikojmë një raport vlerësimi tekniko-ekonomik të përfitimeve dhe kjo është pika A e çdo marrëveshjeje. Në bazë të saj, kjo marrëveshje mund të rishikohet, por nuk është Autoriteti që ka tagrin për ta bërë këtë”, shton Lati.
Vitin e kaluar ish-maxhoranca e djathtë ia dha të drejtën monopol të skanimit një kompanie private me emrin “Rapiscan”, duke i dhënë asaj të drejtën të arkëtojë 39 euro për çdo deklaratë doganore në Republikën e Shqipërisë, si në import-eksport, ashtu edhe në tranzit.
Që në atë kohë kontrata ka ngjallur panik tek sipërmarrësit për kostot e forta, të cilat në industri të caktuara sipas shoqatave të biznesit, mund të çojnë në falimentime masive.
Top Channel