Kërkohet rankimi i universiteteve

19/06/2014 00:00

Këshilli i studentëve të universiteteve private ka kërkuar që të kryhet rankimi dhe akreditimi i universitevete private e publike dhe që subjektet private të mos përjashtohen nga fondet publike.

“Gjatë gjithë këtyre viteve, nga pranimi pa kriter në universitete, është ulur cilësia e diplomave. Së fundmi, një tjetër kërkesë është që pjesë e sistemit të vlerësimit të jenë studentët, që mund të arrihet përmes anketave elektronike. Nëse këto kërkesa implementohen, atëherë do të ketë progres në arsimin shqiptar”, deklaroi një prej përfaqësuesve të Këshillit të Studentëve.

“Është rankimi dhe akreditimi. Duhet një rankim serioz sepse universitetet sot janë në vijë horizontale, sepse nuk e dimë se cili prej tyre është në një rang të caktuar dhe cili në një rang më të ulët”, tha një tjetër.

Në një takim ata thanë se universitetet private frekuentohen nga 21.5% e të rinjve, ndaj edhe ata nuk duhet të penalizohen duke mos përfituar nga fondet publike.

Në një kohë që po punohet për hartimin e ligjit për reformimin e arsimit të lartë, studentët e universiteteve private kanë kërkuar që mes universiteteve të ketë konkurrencë dhe kanë përshëndetur vendosjen e mesatares si kriter për t’u pranuar në universitete.

Top Channel