Falë bashkëpunimit mes policisë angleze dhe asaj franceze është bërë i mundur shkatërrimi i një rrjeti kriminal, që merrej me trafikimin e emigrantëve shqiptarë nga portet franceze drejt Britanisë.
Sipas shtypit britanik, rreth 14 udhëtime janë kryer nga ky grup, që përdor peshkarexhat franceze për të sjellë drejt Britanisë emigrantët shqiptarë.
Sipas “The Daily Mail” të Londrës, emigrantët shqiptarë kanë paguar rreth 8 mijë stërlina për të kaluar ngushticën e La Manshit, mes Francës dhe Anglisë. Ky rrjet trafikantësh drejtohej nga një kosovar i pasur në qytetin francez të St Malo-s.
Në kuadër të këtij operacioni priten arrestime të reja në Francë dhe Britani, gjatë ditëve të ardhshme.
“Ne jemi në kontakt me homologët tanë britanik dhe hetimet për grupe të tjera, që merren me trafikimin e emigrantëve drejt Britanisë, vazhdojnë”, thonë burimet policore.
Kjo metodë e trafikimit, përmes anijeve turistike dhe peshkarexhave, është përzgjedhur për të shmangur kontrollet në pikat e kalimit kufitar nëpër porte, si dhe atyre kontrolleve që u nënshtrohen maunet dhe kamionët e mallrave që vijnë në Britani.
Operacioni franko-britanik nisi pas arrestimit, vitin e kaluar, të dy kapitenëve të anijeve, të cilët kishin marrë me qira jahte luksoze, me pretekstin se po udhëtonin drejt Karaibeve. Gjatë viteve të fundit ka një shtim të numrit të shqiptarëve, që vijnë në Britani për të kërkuar azil, apo për të jetuar në të zezë, kryesisht minorenë që kërkojne azil për gjakmarrje.
Edhe pse autoritetet britanike i kanë shtuar kontrollet në kufij dhe porte, emigrantët e rinj kryesisht vijnë nga Franca ose Belgjika, me maune, apo edhe përmes metodave të tjera, gjithnjë e më të sofistikuara.
Top Channel