Trupat amerikane në Irak

18/06/2014 00:00

Kryeministri i Irakut, Nuri al-Maliki shkarkoi nga detyra disa oficerë veteranë, pasi këta të fundit dështuan të ndalojnë përparimin e rrezikshëm të rebelëve islamikë.

Në një komunikatë të qeverisë irakiane shkruhet se 4 komandantë të ushtrisë u shkarkuan pasi nuk ia dolën të kryenin detyrën kombëtare.

Mediat shkruajnë se shkarkimi i ushtarakëve vjen mbase me vonesë, ndërsa luftimet mes forcave qeveritare dhe milicive sunite kanë mbërritur pranë kryeqytetit. Forcat irakiane janë angazhuar në luftime të ashpra gjatë javëve të fundit me rebelët islamikë që kanë marrë kontrollin e disa qyteteve të mëdha dhe të rëndësishme.

Raportohet se aktualisht ushtria ka zmbrapsur forcat rebele nga qyteti Baqubah, i cili gjendet vetëm 60 kilometra larg Bagdadit, ndërsa luftimet vazhdojnë pa u ndalur. Militantët e Organizatës radikale “Shteti Islamik i Irakut dhe Levantët” morën kontrollin e qyteteve veriore të Mosulit dhe Tikritit javën e kaluar, ndërsa të hënën në duart e tyre ra edhe qyteti Tal Afar.

Iraku i kërkoi ndihmë SHBA-ve për t’u përballur me kërcënimin terrorist, ndërsa nga Shtëpia e Bardhë bëhet e ditur se po shqyrtohen të gjitha opsionet.

Zyrtarë amerikanë thanë se SHBA-ja do të dislokojë 275 trupa në Irak për të mbrojtur stafin e Ambasadës Amerikane në Bagdad. Uashingtoni ka përjashtuar dërgimin e trupave në terren dhe duket se asistenca amerikane, nëse do të vijë, do të materializohet në formën e sulmeve ajrore.

Top Channel