Është mbledhur paraditen e së martës komisioni për reformën territoriale, drejtuesit e të cilit kanë prezantuar veçoritë dhe risitë që do të sjellë ajo.
Ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi deklaroi në fjalën e tij se reforma e re e ndarjes administrative do të rrisë performancën e administratave vendore.
“Reforma territoriale është një realitet i ri në pak muaj qeverisje. Shkaku kryesor i kësaj reforme ka qenë fragmentimi i territorit. Por krijimi i bashkive më të mëdha do krijojë kushtet që administrata vendore të përballojë të gjitha sfidat”, deklaroi Çuçi.
Ai theksoi se, faza tranzitore duhet të trajtohet me shumë kujdes nga vendorët, në mënyrë që sfidat që do të dalin të përballohen me sukses.
“Gjithashtu, ne do të hartojmë programe të veçanta për qeverisjen vendore, në mënyrë që ato të jenë të afta të ushtrojnë kompetencat”, shtoi Çuçi.
I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe ambasadori amerikan Alexander Arvizu, i cili gjithashtu shprehu mbështetjen për këtë reformë, që sipas tij është e nevojshme për vendin.
Mbledhja e komisionit vjen një ditë pasi kryetari i opozitës, Lulzim Basha i bëri thirrje shumicës parlamentare që ta ndalojë ndarjen e re territoriale dhe paralajmëroi edhe mbajtjen e protestave nëse një gjë e tillë nuk bëhet.
Top Channel