Komuniteti shqiptar në Austri u mblodh në Vjenë dhe përkujtoi me një solemnitet datën 27 Qershor 1944, datë e cila njihet si “Dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”.
Në këtë takim përkujtimor, i cili u zhvillua për herë të parë në Austri, morën pjesë shumë përfaqësues të këtij komuniteti, me origjinë nga të gjitha trevat e banuara nga shqiptarët, në Ballkan. Morën pjesë, gjithashtu, dhe përfaqësues të Ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë.
I ftuar ishte edhe deputeti i Parlamentit shqiptar, Tahir Muhedini, si përfaqësues i shqiptarëve të Çamërisë. Takimin, e organizuar nga Këshilli koordinues i shoqatave shqiptare në Austri, e hapi kryetari i Institutit shqiptar të Kulturës, në Vjenë.
Fjalimin e rastit e mbajti Petrit Begati-Kasemi, i cili theksoi ndër të tjera se “tragjedia e shqiptarëve të Çamërisë është një libër i madh, i hapur, i dhimbjes kombëtare e njerëzore”.
Në emër të shqiptarëve të Çamërisë përshëndeti deputeti Tahir Muhedini, i cili falënderoi të pranishmit, për respektin që po tregonin në përkujtim të tragjedisë së vëllezërve të tyre çam.
Gjatë këtij aktiviteti u shfaqën filma dokumentarë, që risjellin në kujtesë ngjarjet e hidhura që kanë kaluar shqiptarët e Çamërisë, si dhe dëshmi nga të mbijetuarit e masakrave të kryera në mënyrë barbare, nga forcat ultranacionaliste greke të EDES-it, të udhëhequra nga gjenerali famëkeq Napoleon Zerva.
Ky aktivitet u mbyll me një deklaratë-apel, që u miratua nga të gjithë të pranishmit, drejtuar përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian, të OSBE-së, ministrave të Jashtëm të Austrisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Në deklaratën e firmosur nga kryetarët e 14 shoqatave shqiptare në Austri, i bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare, e në veçanti asaj europiane, që të tregojë ndër të tjera një interes e kujdes, edhe ndaj kësaj pjese të braktisur të Europës dhe të kujtojë se, edhe fëmijët e shqiptarëve të Çamërisë kanë të drejtën natyrale dhe historike për vatrat e tyre stërgjyshore.
Top Channel