Operacioni anti-drogë Shqipëri-Kosovë

13/06/2014 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur verifikimet pasurore për të arrestuarit në Shqipëri në kuadër të operacionit anti-drogë të drejtuar per saj, që përfshiu Shqipërinë dhe Kosovën e që u finalizua me bllokimin e sasive të konsiderueshme të kokainës, heroinës dhe marijuanës.

Ne, thanë pjesëtarë të grupit të hetimit, jemi në pritje të arrestimit të njërit prej të kërkuarve kryesorë në trafikimin e kokainës, Gëzim Çela, i cili rezulton tepër aktiv në përgjimet e Krimeve të Rënda për llogari të hetimit që goditi një pjesë të rrjetit që trafikonte drogë nëpërmjet korridorit Amerikë Latine-Kosovë-Shqipëri-Itali e më tej në vendet e Bashkimit Europian.

Në këto hetime instensive raportohet se ka qenë i përfshirë përveç prokurorisë edhe shërbimi sekret vendas. 51-vjeçari Gëzim Çela ka mbi vete akuzën e organizimit të trafikut, sikundër edhe vëllai i tij tashmë i arrestuar, apo edhe bashkëpunëtorja e tyre shqiptaro-amerikane Valentina Tufa, që u prangos në Prishtinë një ditë pasi kishte lënë Tiranën.

Në bazë të hetimeve intensive rezulton se gruaja, me profesion kimiste dhe që përmendet në përgjime me nofkën ‘tezja’, kishte udhëtuar drejt Kosovës me urdhër të Çelës, për të kontrolluar cilësinë e kokainës që mbahej në një laborator në Kosovë e pas verifikimeve ngarkesa do të përcillej për në Shqipëri, ku edhe do të mbahej në shtëpinë private të familjes Çela e prej nga ku shpërndahej më tej tek transportues të tjerë.

I prangosuri tjetër në vijim të operacionit Erald Hysolli, në rolin e korrierit, është ndjekur nga hetuesit në bazë të teknikave të dorëzimit të kontrolluar dhe sapo ai ka hyrë në pikën kufitare të Morinës, policia ka kryer arrestimin e tij duke bllokuar edhe 7 kilogramët e heroinës që dyshohet se është pjesë e drogës që ndiqte linjën Turqi-Prishtinë-Laç e më tej nëpërmjet disa të dyshuarve në Fier, nga ku transportohej drejt Italisë.

Burimet shpjegojnë se menjëherë pas këtij arrestimi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka kryer katër arrestimet dhe bllokinin e laboratorit në Prishtinë, ndërkohë që nga kontrolli në banesën e Çelës dhe të të vëllait u gjet pjesa tjetër e drogës.

Burimet thonë se, ndonëse dalin si të implikuar në përgjime edhe dy shtetas, Shanaj e Bushi, ata janë arrestuar vetëm për mbajtje armësh dhe hetimi i tyre pritet të veçohet për t’u shqyrtuar nga një prokurori e zakonshme.

Top Channel