Diskutimi i ndarjes së re administrative është ndalur në një zonë të vështirë si Himara, e cila në hartën e re bashkohet me komunën e Vranishtit dhe Lukovës.
Në diskutimet që kanë zgjatur mbi katër orë, ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi ka sqaruar përfitimet që do të vijnë nga bashkimi i këtyre zonave, ku fshatrat e lumit të Vlorës bëhen pjesë e një njësie bregdetare dhe komuna e Vranishtit do të jetë një vlerë e shtuar për Himarën, pasi gëzon një sipërfaqe të gjerë të pyjeve dhe kullotave.
Por disa banorë të Himarës shprehën kundërshtimin për bashkimin me fshatrat e Labërisë, pasi në këtë mënyre, thanë ata, humbasin identitetin.
Përfaqësues të PBDNJ-së kërkuan të merret parasysh mendimi i atyre që quajtën ‘komuniteti grek në Himarë’, ndërsa nuk munguan as artikulimet për autonomi të kësaj bashkie.
“Neve nuk jemi dakord kurrën e kurrës. Ne pranojmë vetëm atë që na kanë lënë stërgjyshërit tanë. Se çështja duhet parë me kujdes, sepse këta janë me dyshtetësi të gjithë”, u shpreh i revoltuar një banor.
Tonet janë rritur në këtë takim, kur pjesa tjetër e banorëve të Himarës, pjesëmarrës në këtë takim, kanë qenë pro një njësie të madhe administrative. “Unë Himarën e dua të jetë me 15 fshatra dhe jo me 3, siç e duan këta të tjerët”, protestoi një banor gjatë debatit.
Por ministri Çuci e vlerësoi si të frytshëm takimin pasi arriti atë që konsultimet me komunitetin kanë si qëllim: marrjen prej tyre të të gjitha këndvështrimeve për ndarjen administrative. Ndërsa nuk e pa me shqetësim artikulimin e ndonjë të pranishmi për autonomi për Himarën.
“Ato janë momente mes kafes dhe ujit. Sot sinqerisht prisja më shumë debat nga aspekti historik, por nuk pati. Pati tentacione, por mendoj se është pjesë e gjithë spektrit të mendimit të qytetarëve të Himarës”, deklaroi Çuci.
Top Channel