Seanca gjyqësore e së enjtes ndaj Arben Frrokut të akuzuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, është shoqëruar nga replika të forta mes të pandehurit dhe prokurorit të çështjes.
Frroku ka replikuar me Prokurorin e Krimeve të Rënda në sallën e gjyqit, duke thënë se “pesë mijë dëshmitarë të sjellësh në proces, nuk më implikojnë dot me vrasjen e Lamajt”.
Përballë kësaj përplasjeje, gjykata ka vazhduar procesin me marrjen e dëshmive të katër dëshmitarëve, mes tyre Arianit Arapi, ish-shef i Krimeve në Komisariatin e Numër 6, ku ka shërbyer Lamaj, si dhe shtetasen Olivera Luka, e cila një ditë pas ngjarjes ka dëshmuar te Krimet e Rënda detaje të rëndësishme të hetimit.
Ish-shefi i Krimeve të Kombinatit deklaroi para gjykatës se pak orë pas vrasjes së kolegut të tij, Dritan Lamaj ai është kërcënuar me një mesazh në telefon ku thuhet se “Dritani prehet i qetë, tani është radha jote”.
I pyetur se kush mund t’ia ketë dërguar këtë mesazh, Arapi u shpreh se “ndoshta dikush nga Pogradeci, për shkak të punës ku ai ishte transferuar si oficer policie, ndërsa kërkon që kjo çështje të zbardhet nga drejtësia”.
Dritan Lamaj u ekzekutua shkurtin e vitit të kaluar. I dyshuari kryesor për ngjarjen, Arben Frroku u arrestua pak ditë më vonë në Selanik të Greqisë, por vetë së fundmi u ekstradua në Shqipëri. Ai mohon të ketë vrarë Lamajn duke deklaruar se në orën që është kryer krimi nuk ka qenë fare në Tiranë.
Seanca e radhës do të mbahet më 18 qershor, ku akuza kërkoi marrjen e dëshmisë nga 12 dëshmitarët e fundit, mes tyre edhe çiftit të bashkëshortëve Ndoka, me gjeneralitete të ndryshuara, për shkak të statusit si dëshmitarë të mbrojtur.
Top Channel