Studentët e Mjekësisë: Si nisi protesta jonë për armët kimike

09/06/2014 00:00

Roli i tyre, në protestën kundër demontimit të armëve kimike në Shqipëri, ishte i madh. Në Nëntor të vitit të kaluar, të rinjtë e Fakultetit të Mjekësisë u organizuan për t’i thënë “JO” armëve kimike, duke protestuar në heshtje përpara Kryeministrisë.

Ata u gjendën në shesh, me të njohur e të panjohur, ndërsa rrjetet sociale, si Facebook apo Tëitter, ishin “motorri” i vërtetë i lëvizjes, që arriti kulmin më 26 Nëntor.

“Si të gjithë e kemi parë në FB. Në fillim nuk po e kuptoja as se çfarë ishte, nuk kisha asnjë informacion se çfarë ishin armët kimike. Por pasi i bëra ‘like’ faqes 1 milion shqiptarë kundër armëve kimike fillova të lexoj më tepër. Isha në leksion një ditë, po prisnim me shoqet dhe aty fillova ta diskutoja”, tha Ornela Haka, studente.

Askush nuk e mendonte një reagim të tillë popullor. Fakt është që, nga peticioni që u nënshkrua online, njerëzit u ndërgjegjësuan dhe dolën në shesh, duke qëndruar aty me ditë të tëra.

“Asnjëri prej nesh nuk donte të rrinte në shtëpi, donte të bënte diçka… Por, nuk dinim se si, të dilnim si një grup i organizuar ‘Mjekësia kundër armëve kimike’, apo të dilnim si individë e t’i bashkoheshim protestës. E rëndësishme ishte se të gjithë ne si këshill studentor ishim kundër tyre. Na është dashur vetëm gjysmë ore publikim i mesazhit tonë në Facebook dhe shpërndarjen e tyre kudo, e menjëherë pati një impakt shumë të madh. Gjithsesi, nuk e mendonim se gjithë ato ‘like’ në rrjetet sociale do të konvertoheshin në njerëz të grumbulluar në protestë”, tha Amarildo Hidri, student.

Mesazhi i studentëve të Mjekësisë ishte i qartë. Nuk donin që vendimi të merrej pa zërin e tyre.

“Kemi qenë shumë, nuk numëroheshim. Nuk e mendoja se do mblidheshim aq, por ja që erdhën. Ishte protesta e parë ku unë merrja pjesë, kisha shumë emocione, por jam e lumtur që rezultoi në një protestë të tillë të mirëorganizuar. Mbi të gjitha ishte paqësore dhe në fund u arrit kauza jonë”, tha Ornela Haka, studente.

Të gjithë së bashku treguan se, kur organizohen, kësaj here nëpërmjet teknologjisë, mund t’ia dalin mbanë edhe me gjërat e vështira. Dhe, pa asnjë dyshim, ata ia dolën.

Gjergji, gazetari që plotësoi i pari formularin e “Avaaz.org”

Në Nëntor të një viti më parë, gazetari Gjergj Erebara ishte i pari, që hapi peticionin në ëeb-in “AVAZZ.ORG”, kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri.

Pas publikimit të lajmit, në Tetor, mbi një import të mundshëm të armëve kimike në vendin tonë, ai ndoqi paralelisht deklaratat, që Aleanca Kundër Importit të Plehrave bënte lidhur me këtë çështje.

Nuk vonoi shumë dhe “Balkan Insight” publikoi një artikull të zgjeruar, ku jepte detaje konkrete, ku informonte për reagimet dhe rrezikun e mundshëm.

Gjergji kishte dëgjuar për Organizatën Ndërkombëtare “AVAAZ .org”, çka çoi atë drejt krijimit të një peticioni për çështjen kaq shumë të diskutuar në Tetor-Nëntorin e vitin 2013.

Kërkesa u depozitua, peticioni nisi të shpërndahej shumë shpejt, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në të gjithë botën. Me mijëra vetë e nënshkruan atë, duke i thënë “JO” armëve kimike. Në kohë rekord, numri i nënshkruesve arriti në 37,222 persona.

Aplikacioni kishte përdorur për shpërndarje Facebook-un, duke marrë 16,000 firma, Tëitter-in me 807, dhe email-in me 1565.

Që nga dita kur u hap, 7 Tetor 2013, e deri në ditën e marrjes së vendimit, 16 Nëntor, numri i nënshkruesve tregoi se fuqia e rrjeteve sociale, kur përdoret për një kauzë me interes publik, është shumë e madhe… Shqipëria e testoi këtë fuqi.

Christoph Schott, përfaqësuesi i “Avaaz”-it në Shqipëri

Avaaz është një lëvizje botërore, që përfshin miliona njerëz, të cilët duan të luftojnë padrejtësitë, që nga korrupsioni në Brazil, e deri te të drejtat e njeriut në Indi, apo ngrohjen globale në botë.

Forca e organizatës është peticioni. Duke përdorur këtë mjet të fuqishëm demokratik, nënshkruesit kanë mundësi që, duke u organizuar, të ndërgjegjësojnë masat dhe, për rrjedhojë, të ndryshojnë realitetin që nuk u pëlqen.

Avaaz ka një mision të vetëm: Të mbyllë hendekun midis botës, që ne kemi, dhe botës, që pjesa më e madhe e njerëzve do të donte.

35 milionë njerëz, nga çdo vend i botës, ndryshojnë jetesën e tyre duke nënshkruar peticione, dërguar mesazhe, apo duke u telefonuar politikanëve dhe shoqërisë civile, për t’u siguruar që zëri i njerëzve do të dëgjohet dhe respektohet.

Peticioni u jep individëve një platformë për të nisur një kauzë, e cila shërben si një megafon i fuqishëm kundër padrejtësive në botë. Por, cilat janë disa nga çështjet më me ndikim të organizatës?

Brazili i tha “jo” korrupsionit, duke përjashtuar çdo njeri nga politika. Peticioni u nënshkrua në Gusht 2013. Përkthyesit afganë kërkuan siguri për jetën e tyre. Peticioni u nënshkrua në Maj 2013. Avaaz-i u përfshi edhe në Shqipëri me peticionin kundër pranimit të armëve kimike, çështje nga e cila pati një reagim të madh popullor, në Nëntor të vitit 2013.

Top Channel