Miliona euro për invalidët e rremë

05/06/2014 00:00

Çdo vit, qeveria shpenzon 200 milionë dollarë për të ndihmuar shtresat në nevojë, përmes ndihmës ekonomike dhe asistencës për personat me aftësi të kufizuara.

Bashkë me disa programe të tjera më të vogla, si pagesa e papunësisë dhe fondi i të përndjekurve, fatura e përgjithshme sociale që paguan buxheti shkon në 1,6 përqind e Prodhimit Kombëtar.

Kjo është e barabartë me mesataren e rajonit. Por, në vite, struktura e shpenzimeve sociale në Shqipëri është denatyruar dhe Banka Botërore thotë se ato nuk janë efiçente.

Në vitin 2000, fatura ndahej respektivisht në 0,42 përqind e Prodhimit Kombëtar për personat me aftësi të kufizuara dhe 0,84 përqind për ndihmën ekonomike.

Vitin e kaluar, raporti ishte i përmbysur. Ndihma ekonomike për familjet e varfëra ishte vetëm 0,27 përqind e Prodhimit Kombëtar, ndërsa pagesat për personat me aftësi të kufizuara 1,11 përqind.

Në 6 vitet e fundit, numri i personave që përfitojnë nga pagesa e aftësisë së kufizuar është rritur me 60 mijë vetë, duke arritur rreth 170 mijë në total.

Banka Botërore thotë se një pjesë e mirë e faturës, që paguhet për ta, është abuzive. Sipas saj, 31 përqind e tyre nuk kanë asnjë kufizim në aftësi, ose kanë vetëm kufizime të pjesshme dhe përfitojnë pa të drejtë.

Ndërkohë, edhe ndiha ekonomike është po kaq abuzive. Të dhënat e Bankës tregojnë se pjesa dërrmuese e familjeve më të varfra janë jashtë skemës dhe nuk përfitojnë asnjë pagesë, ndërkohë që gati gjysma e ndihmës shkon për ata, që nuk e meritojnë.

Muajt e fundit, autoritetet kanë zbuluar me qindra raste individësh, të përfshirë në mënyrë abuzive në ndihmën ekonomike dhe atë të invaliditetit. Por, me këto shifra, skema sociale në Shqipëri, sipas Bankës Botërore, kërkon ndërhyrje më të forta, për të ulur abuzimet dhe për të ndihmuar ata që kanë vërtet nevojë.

Top Channel