BSH ul sërish normën bazë

30/05/2014 00:00

Banka e Shqipërisë uli për të 9-n herë me radhë normën bazë të interesit, duke e çuar atë në një minimum të ri historik prej 2,5 përqind.

Guvernatori shpjegoi arsyet se pse Këshilli Mbikqyrës vendosi të lehtësojë sërish politikën monetare.

“Ulja e sotme e normës bazë të interesit synon t’i japë një shtysë të mëtejshme konsumit dhe investimeve private, duke krijuar premisa për kosto më të ulta financimi në sistemin bankar shqiptar”, u shpreh Guvernatori Ardian Fullani.

Kreu i Bankës Qendrore tha se ekonomia ka vazhduar të ruajë ritmet pozitive të rritjes në tre muajt e parë, por – sipas tij – me ritme të ngadalta.

“Të dhënat e fundit mbështesin vlerësimet tona të mëparshme, për rritje pozitive në muajt e parë të këtij viti. Konsumi dhe investimet private vlerësohen të kenë pasur rritje në 3 muajt e parë të vitit, ndonëse kjo rritje ishte më e ulët se tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Ecuria e tyre mbetet, megjithatë, e ngadaltë, duke reflektuar pasigurinë e agjentëve ekonomikë dhe kushtet njëkohësisht të shtrënguara të financimit”, shtoi më tej Fullani.

Banka e Shqipërisë gjykon se ecuria e konsumit dhe investimeve do të jetë përcaktuese për rritjen ekonomike të vendit gjatë këtij viti. Për këtë arsye, Fullani ka përsëritur, tashmë për të disatën herë, thirrjen ndaj bankave private, që të kreditojnë ekonominë.

“Të jenë institucione financiare të licencuara për të lehtësuar lëvizjen e fondeve në ekonomi. Sistemi bankar duhet të jetë më aktiv në këtë drejtim, pasi rritja e qendrueshme e vendit është parakusht për rritjen e qendrueshmërisë së vet sektorit bankar. Realiteti ekonomik dhe financiar i vendit, lehtësimet e vazhdueshme të politikës monetare dhe operacionet tona të injektimit të likuiditetit, si dhe përshtatja e vazhdueshme e rregullatoreve tona në kushtet e tregut, krijojnë premisa për një kreditim më të shpejtë të ekonomisë”, përfundoi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Ardian Fullani tha se rreziku i inflacionit është minimal, pasi parashikimet janë që rritja e çmimeve të jetë e ulët.

Kredia në krizë
Bie me 2,1%, rënia më e madhe te huatë e biznesit

Banka e Shqipërisë raportoi se kredia për ekonominë vazhdon të mbetet e kontraktuar. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se, në Prill, vëllimi total i kredisë ishte 2,1 përqind më i ulët se një vit më parë.

Por, në sektorin privat rënia ka qenë edhe më e madhe. Sipas Bankës, stoku total i kredisë për biznesin dhe individët zbriti, në fund të katërmujorit, në 509 miliardë lekë, ose rreth 2,4 përqind më pak se një vit më parë.

Kjo do të thotë se, përgjatë harkut kohor të një viti, kredia që ndërmarrjet private kanë marrë në banka, ka qenë më e ulët se sa shlyerjet e huave ekzistuese.

Optimizmi i biznesit, që Banka e Shqipërisë raportoi për tremujorin e parë, duket se nuk është përkthyer në rritje të kërkesës së tyre për kredi të reja, të paktën deri në fund të katërmujorit.

Shqipëria hyri zyrtarisht në krizë kredish në gjysmën e dytë të vitit 2012, kur, nga normat dyshifrore të rritjes, huatë u kontraktuan me ritme të shpejta.

Për pasojë, rritja ekonomike zbriti menjehërë në 1,3 përqind. Por, kriza u thellua edhe më shumë vitin e kaluar, kur, për herë të parë që nga 2002-shi, kredia hyri në territor negativ dhe rritja ekonomike ra në 0,44 përqind.

Banka e Shqipërisë vlerëson se ringritja e ekonomisë do të varet kryesisht nga përmirësimi i konsumit dhe investimeve, që vijnë nga sektori privat. Ndaj, ekspertët thonë se ecuria e kredisë do të jetë përcaktuese në rigjallërimin e kërkesës së brendshme.

Kartmonedhat “10 mijë lekë”
BSH miraton shtypjen, në treg në muajt e ardhshëm

Banka e Shqipërisë pritet që, muajt e ardhshëm, të hedhë, për herë të parë në tregun e parasë, kartomonedhën me vlerë 10 mijë lekë.

Përmes një vendimi, të marrë më 27 Mars, por të publikuar një ditë më parë, Këshilli Mbikqyrës i Bankës ka miratuar në parim shtypjen e kartmonedhës me kurs ligjor 10 mijë lekë, që bëhet kështu prerja më e madhe monedhës së brendshme në treg.

Sipas vendimit, brenda pak ditësh, pritet që Guvernatori Ardian Fullani të ngrejë një grup të posaçëm pune, i cili do të merret me përcaktimin e pamjes dhe studimin e tematikës, që do të pasqyrohet në kartmonedhën e re.

Në vendim nuk është përcaktuar asnjë afat, se kur prerja e re prej 10 mijë lekësh do të hidhet zyrtarisht për qarkullim në treg, por burime nga Banka thonë se ajo do të jetë gati brenda pak muajve.

Kartmonedha 10 mijë lekëshe do të jetë kështu prerja më e madhe në vlerë, në historinë e monedhës shqiptare. Deri më sot, këtë pozicion e mban kartmonedha me kurs ligjor 5 mijë lekë, e hedhur për herë të parë në treg në vitin 2001.

Top Channel