Bujqësia, Rama pret ministrin izraelit

27/05/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me ministrin e Agrikulturës dhe Zhvillimit Rural të Izraelit, zotin Yair Shamir.

Rama dhe ministri Shamir theksuan gatishmërinë për të krijuar një cikël të ri bashkëpunimi mes dy vendeve, që i përgjigjet edhe lidhjes së veçantë të vendosur midis dy popujve ndër vite.

Ministri Shamir nënvizoi se edhe kjo vizitë e tij i shërben forcimit të marrëdhënieve dhe për të diskutuar mundësitë ku dy vendet mund të punojnë bashkë, me nisma e projekte konkrete, sidomos në fushën e agrikulturës dhe zhvillimit rural.

Një ditë më parë ministri izraelit u takua me homologun Edmond Panariti, të cilit i shprehu interesin e qeverisë së tij për të zhvilluar sektorin shqiptar të bujqësisë.

“Izraeli është një vend shumë i vogël, gjysma e të cilit është shkretëtirë. Kemi mungesa në ujë dhe fuqi punëtore. Të rinjtë preferojnë të merren me teknologji informacioni, në vend që të punojnë në fermë. Në anën tjetër, si një vend i rrethuar nga shtete jo miqësore, duhet të sigurohemi që të kemi rezerva ushqimore. E kemi bërë këtë përmes inovacionit, teknologjisë dhe jemi gati ta ndajmë vetëm me miqtë tanë, dhe Shqipëria është e tillë”, tha Yair Shamir.

Sektorët ku investitorët izraelitë janë të interesuar të investojnë janë: perimet, blegtoria, prodhimet e detit, ndërkohë që do të ofrojnë dhe trajnim për fermerët shqiptarë.

Top Channel