Regjistrimi dixhital audio në Gjykata

26/05/2014 00:00

Çdokush që është i përfshirë në një proces gjyqësor; prokuror, avokat mbrojtës, palë paditëse apo e akuzuar; ka të drejtë që të ketë një kopje të të gjithë komunikimit të bërë në sallën e gjyqit.

Që prej vitit 2012, kohë kur u implementua për herë të parë regjistrimi dixhital audio në gjykata, ekziston mundësia e disponimit të asaj çka është thënë në sallën e gjyqit, gjë e cila mundësohet duke dorëzuar pranë Sekretarisë së Gjykatës formularin, të shoqëruar nga një CD apo DVD.

Tarifa e shërbimit për marrjen e kësaj kopjeje është e barabartë me tarifat e tjera për kopje të dokumentacionit, që janë pjesë e dosjes gjyqësore.

Duke shmangur në këtë mënyrë pretendimet e palëve, që dikur krijonin edhe pakënaqësi në ambientet e gjykatave, tashmë personat e interesuar mund të kenë në duar kopjen e regjistrimit audio mjaft lehtë.

Por, kur mund të tërhiqet ky regjistrim? Menjëherë pasi përfundon një seancë gjyqësore, kopjet nga të interesuarit mund të merren brenda 48 orëve, ndërsa kur çështja është e arkivuar, ajo mund të merret brenda 24 orëve.

Ky regjistrim bëhet më pas automatikisht pjesë e dosjes gjyqësore, duke bërë të mundur pasqyrimin e një komunikimi të plotë dhe jo më, duke u bazuar në atë që mund të mbahet shënim apo riprodhohet nga kujtesa.

Deri tani, ky sistem është implementuar në 110 salla gjyqi, në 24 gjykata të vendit. Për përdorimin e duhur të regjistrimit janë trajnuar 295 gjyqtarë dhe i gjithë stafi administrativ i 24 gjykatave në shkallë vendi.

Numri i seancave të mbajtura deri tani, me anë të regjistrimit dixhital audio, shkon në afro 77 mijë të tilla.

Top Channel