Zgjedhjet në Ukrainë

24/05/2014 00:00

Më 25 Maj, ukrainasit do të zgjedhin presidentin. Nëse do të jenë të suksesshme, këto zgjedhje do të përcaktojnë pikën e kthesës për krizën, që vuri përballë Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.

Sa të rëndësishme janë dhe cili është interesi i Uashingtonit në këtë proces?

Alexander Arvizu
: Nuk janë të rëndësishme vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo është gjëja e parë që do të thoja. Janë të rëndësishme edhe për Europën dhe Shqipërinë, sepse përfaqësojnë autonominë, sovranitetin dhe demokracinë. Zgjedhjet në Ukrainë janë një çast thelbësor për Ukrainën dhe rajonin dhe ne, në bashkësinë ndërkombëtare, duhet të bëjmë gjithçka mundemi për t’i ndihmuar ukrainasit të ushtrojnë të drejtat e tyre, për të zgjedhur udhëheqësit e tyre dhe të ardhmen e tyre paqësisht, në mënyrë të lirë dhe të ndershme, nëpërmjet kutive të votimit. Shtetet e Bashkuara po punojnë me ukrainasit, me OSBE-në dhe të tjerë partnerë ndërkombëtarë, për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve ukrainas, që zëri i tyre të dëgjohet nëpërmjet kutive të votimit, në zgjedhje legjitime. Për ta përmbledhur, ajo që diskutohet këtu është nëse Rusia do të vendosë të respektojë të drejtën e ukrainasve, për të qenë në gjendje të vendosin për të ardhmen e tyre.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, thotë se zgjedhjet janë të rëndësishme jo vetëm për Ukrainën, rajonin, por edhe për arkitekturën e sigurisë europiane, për të cilën investuan shumë Shtetet e Bashkuara dhe BE.

Zoti ministër, cili është interesi i Shqipërisë në zgjedhjet e 25 Majit, që zhvillohen në Ukrainë?

Ditmir Bushati: Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s. Ka qenë mjaft aktive në përcaktimin dhe njehsimin e qendrimeve të politikës së jashtme krah për krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe NATO-s. Natyrisht, si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka kontribuar në këtë proces edhe në misionin e vëzhguesve, por gjithashtu edhe me monitorimin e zgjedhjeve që do të zhvillohen këtë të diel, duke kontribuar në këtë proces me dy monitorë. Gjithashtu, në forumet e përbashkëta brenda anëtarëve të NATO-s, që ekzistojnë ndërmjet NATO-s dhe Ukrainës, ku Shqipëria, si një vend i anëtarësuar rishtazi, përcjell eksperiencën e saj më të mirë në këtë proces.

Remzi Lani, drejtori i Institutit shqiptar të Medias, thotë se ukrainasit më shumë se presidentin do të përcaktojnë orientimin e tyre të ri: drejt Rusisë apo Perëndimit.

Remzi Lani: Sigurisht që këto janë zgjedhje të rëndësishme dhe Shqipëria ka interes për to, sado larg të jemi, sepse ne jemi një vend anëtar i NATO-s, jemi një vend europian, nuk mund të jemi inkoshient ndaj sfidave që i bëhen sigurisë në kontinent, sfidave që i bëhen NATO-s, por edhe rendit botëror. Në këtë kuptim, ne kemi interes për Ukrainën e bashkuar dhe demokratike në Europën e bashkuar dhe demokratike.

Albert Rakipi, drejtor i Institutit shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, thotë se pavarësisht largësisë me Ukrainën, legjitimiteti i zgjedhjeve është i rëndësishëm për Shqipërinë.

Albert Rakipi: Shqipëria është vend anëtar e aleancës së NATO-s. Aleanca ka ngrirë një numër marrëdhëniesh që kishte me Rusinë, është mjaft e angazhuar në zgjidhjen e krizës në Ukrainë, por gjithashtu lidhet edhe me Bashkimin Europian dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Pra, nëse ka ndonjë interes të Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare, ky është një interes strategjik që lidhet edhe me interesin strategjik të Perëndimit. Përveç faktit që Shqipëria është një vend demokratik, natyrisht do të ishte në interesin e çdo vendi demokratik, që të shikonin zhvillimin e një procesi zgjedhor normal kudo, përfshi edhe Ukrainën.

Mbi 19% e 35,5 milionë votuesve në Ukrainë jetojnë në tre rajonet lindore të kontrolluara nga pro-rusët: Krimenë, tashmë të aneksuar nga Rusia, Donjeckun dhe Luhanskun.

Top Channel