Në ditën e katërt të grevës së urisë të të larguarve nga administrata reagoi edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Nga aktiviteti i zhvilluar me rastin e 70-vjetorit të Kongresit të Përmetit, zoti Meta e cilësoi grevën e urisë si një e drejtë e qytetarëve, por theksoi se nuk është dakord me politizimin që po i bëhet asaj.
Greva e urisë është një e drejtë e qytetarëve, që kanë zgjedhur ta bëjnë këtë grevë. Unë e respektoj, por nuk e shikoj si rrugë zgjidhjeje. Më vjen keq për politizimin ekstrem të bërë nga lidershipi i Partisë Demokratike. I ftoj të mos nxisin dhe të motivojnë politikisht këtë grevë, sepse nuk duhet cënuar shëndeti i asnjë qytetari, u shpreh zoti Meta.
Kryeparlamentari i bëri këto deklarata pas aktivitetit të organizuar në kuadër të 70-vjetorit të Kongresit të Përmetit, ku të pranishëm ishin edhe Luan Rama, Gramoz Ruçi, Anastas Angjeli, Vangjel Tavo, Arta Dade, Dashamir Shehi, Gilberto Jançe dhe veteranë të Luftës së Dytë Botërore.
Meta e cilësoi të rëndësishme zhvillimin e Kongresit, duke shtuar se pa Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, Shqipëria do të ishte e copëtuar.
Ne nuk pajtohemi me deformimin e mëvonshëm të vendimeve të Kongresit të Përmetit. LANC-i është krenaria jonë e madhe. Kongresi i Përmetit është një moment i lavdishëm për luftën, u shpreh ndër të tjera kryetari i Kuvendit.
Top Channel