Ndonëse me përkufizimet e ligjit aktual, Shqipëria rezulton si një vend me popullsi kryesisht rurale, ekspertët e Bashkimit Europian që kanë përpunuar të dhënat e censusit vërejnë të kundërtën.
“Ne kemi identifikuar strukturën e popullsisë shqiptare, sipas përkufizimeve të Bashkimit Europian. Rezultati është se, aktualisht, 58 për qind e popullsisë shqiptare është urbane. Pra, sipas standardeve të BE, popullsia urbane në Shqipëri është më shumë se 10 për qind më e lartë se sa shifra zyrtare që prodhon rezultati, sipas ndarjes administrative që ka Shqipëria”, deklaroi Roberto Bianchini, ekspert i censusit nga Asistenca e BE.
Shqipëria është një vend kryesisht urban, por zyrtarisht rezulton e kundërta. Ky paradoks vjen nga fakti se ndarja aktuale administrative nuk përkon me shpërndarjen e popullsisë sipas vendbanimeve. Madje, sipas ekspertëve, struktura e popullsisë urbane në Shqipëri është gati e ngjashme me atë të BE-së.
“Mesatarisht, në vendet e Bashkimit Europian, 35 për qind e popullsisë ndodhet në klasterat me dendësi të lartë urbane. Në Shqipëri, shifra është 32%. Pra, praktikisht është e njëjta strukturë dhe në këtë drejtim, Shqipëria është një vend europian”, vijoi më tej Bianchini.
Një ditë më parë, kryeministri Rama tha se të dhënat e censusit e bëjnë emergjente kryerjen e reformës administrative për të orientuar zhvillimin ekonomik të vendit.
Top Channel