Ja si do të bëhet legalizimi i pronave

21/05/2014 00:00

I ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ishte drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, i cili ka folur për ligjin e ri të legalizimeve, duke shpjeguar se si do të kryhet procesi në zonat informale dhe ato rurale.

Zoti Lame ka thënë se në fillim do të ketë një përqendrim te zonat informale, të cilat përbëjnë edhe pjesën më të madhe në këtë proces. Ai ka shpjeguar me detaje se kush përjashtohet nga pagesa dhe si do të llogaritet ajo për pjesën tjerët.

Pandi Gjata: Është miratuar ligji i ri për legalizimet, kush përfiton, cilat janë zonat dhe cilat janë termat teknik?

Artan Lame: Kjo situatë nuk është e re, por ne po mundohemi ta zgjidhim me një çelës të ri. Duke bërë ndryshime themelore në ligjin ekzistues, por me vullnet politik, me dëshirën për të bërë punë edhe me ligjin që ishte mund të kishin bërë punë, unë këmbëngul gjithmonë që nuk kanë dashur t’i bëjnë, kjo pastaj është një çështje politike. Ne do të përpiqemi dhe jam i bindur që do t’ia dalim, që përtej rregullimeve që bëmë në ligj këtë proces ta çojmë drejt mbylljes. Në Shqipëri duhet të mbyllet çështja e ndërtimeve pa leje dhe e legalizimeve. Kjo çështje është me të vërtet me një interes të madh, kjo kuptohet nga pyetjet e shumta që vijnë në mënyra të ndryshme mbi legalizimet.

Pandi Gjata: Me këtë ligj të ri kush përfiton dhe cilat janë zonat?

Artan Lame:
Ne kemi këmbëngulur që në fushatë dhe kjo u transmetua edhe gjatë kohës së përgatitjes së ligjit. Sot kemi të shpallura një numër zonash informale, rreth 127. E para do të rishikojmë të gjithë kufijtë e tyre, e dyta do të shtojmë zona të reja për të përfshirë të gjitha realitetet e krijuara gjatë këtyre viteve. Te zonat informale është masa e madhe e njerëzve që kanë nevojë për aplikim janë pikërisht këta ku ne do të përqendrohemi në fillim, pastaj paralel me këto edhe në vijim do të merremi me objektet e veçuara. Ne kemi arritur të evidentojmë 28 tipologji të ndryshme ndërtimesh.

Pandi Gjata: Fasha e parë do të jenë zonat informale.   

Artan Lame: Zona informale do të konsideroja të gjitha ato zona rrethuese të qyteteve të mëdha shqiptare, qytetet të ultësirës perëndimore. Lëvizjet e njerëzve gjatë këtyre kohëve kanë krijuar këto unaza rreth qyteteve dhe këtu do të përqendrohemi fillimisht. E para do të jetë një lojë urbanizimi në letër, ku do të jenë rrjetet rrugore të këtyre zonave, ku mund të lëmë zona ku të ndërtojmë një shkollë apo diçka tjetër në shërbim të publikut. Pas këtij përcaktimi do të merret e gjithë zona dhe do të legalizohet. Procesi i tretë do të jetë urbanizimi në terren. Nuk është puna t’i japim njerëzve një cup letër.  

Pandi Gjata: Si do të jetë procesi i legalizimit në zonat urbane?

Artan Lame: Në zonat urbane është më i lehtë dhe njëkohësisht më i vështirë, më i lehtë sepse ka njëfarë urbanizimi paraprak dhe më i vështirë sepse problematikat e pronësisë janë tmerrësisht më të ngatërruara.

Pandi Gjata:  A ka objekte që do të përjashtohen nga procesi i legalizimit?

Artan Lame: Është normale që ka, si çdo proces edhe kjo ka dhimbjen e vet, por ne do të mundohemi ta minimizojmë atë. Prandaj ne themi të vendosim një kufi për madhësinë e parcelës. Këto nuk kërkojnë vetëm rregullim ligjor, por edhe dëshirën për ta bërë punën dhe për të zgjidhur hallin e njerëzve dhe më e rëndësishmja kërkohet pjesëmarrja edhe e vet publikut. Kësaj radhe në legalizim do të jemi ne që do të shkojmë të qytetarët, por unë shpesh i bëj thirrje edhe qytetarëve të përfshihen edhe ata. Janë 34 mijë kërkesa nga tetori deri më sot, kjo është një shifër tejet e lart.

Pandi Gjata: Me shumë interes në këtë proces është mënyra e pagesës.

Artan Lame: Pjesa më e madhe e qytetarëve legalizimin do ta marrin tërësisht falas.

Pandi Gjata: Sa mund të jenë në përqindje?

Artan Lame: Përllogariten rreth 67 mijë objekte të tilla, këta janë në tokën e tyre, kanë bërë edhe deklarimin kur shteti i tha në vitin 2006, një pjesë e tyre e kanë bërë që në 2005-ën. Ne kemi deklaruar që e gjithë procedura e legalizimit është falas. Ata që do të paguajnë janë ata që kanë ndërtuar jo në tokën e tyre, me tjetër pronar ose në truall shteti. Në disa raste me qëllim jam shmangur debatit për pagesat e këtyre rasteve sepse debati me dikë që mundohet vetëm të gënjejë çorodit njerëzit. Këtë proces e ka kjo qeveri në dorë, i them qytetarëve ta ndjekin këtë proces sepse është në të mirën e tyre dhe do të mbyllet me më pak pagesë se sa ka qenë në ligjin që ishte, i cili përveç pagesës së parë kishte edhe shtesa të tjera. Pagesa për këto 2 kategori, së pari përllogaritet parcela sipas vlerës së truallit në atë zonë dhe jo siç ishte me ligjin e vjetër në të gjitha zonat e barabartë. Pagesa tani do të jetë 50% e vlerës së truallit e llogaritur në zonën ku ndodhet. Nëse trualli në Berat është 2 mijë lekë të reja vlera do të llogaritet 1 mijë lekë të reja, pastaj do të ketë edhe zbritje të tjera, për shembull 30-50% mund ta paguash me letra me vlerë, të cilat sot në treg janë 5 ose 6%, falë këtij procesi mund të shkojnë deri në 10%. Përtej kësaj do të jetë edhe një zbritje tjetër, nëse do të paguash brenda një afati 30 ditor do të ketë një zbritje prej 20% të faturës. Elementi i fundit ka qenë një këmbëngulje personale e Kryeministrit, për zbritjen e pagesës prej 10% për pagimin e energjisë elektrike, do të thotë nëse pas zbritjeve totale ne do të kërkojmë 90%, pjesën tjetër ta falim, nëse për 2 vite rresht ke paguar energjinë elektrike.  

Pandi Gjata: Sa mund të zgjasë i gjithë ky proces legalizimesh?

Artan Lame: Masa e madhe, domethënë e zonave informale, do të përfundojë brenda 4 vjeçarit të parë, njëkohësisht me këto do të vazhdojë puna edhe me ndërtimet me problematika nga më të veçantat, por këto kërkojnë me tepër kohë. Nuk duam të gënjejmë askënd.

Top Channel